image Deputetja e VV-së shtrihet në QKUK, shtyhet gjykimi ndaj saj dhe 5 të akuzuarve të tjerë për korrupsion

Drejtësi

Deputetja e VV-së shtrihet në QKUK, shtyhet gjykimi ndaj saj dhe 5 të akuzuarve të tjerë për korrupsion

news image

Seanca gjyqësore që pritej të mbahej sot për deputetët të cilët akuzohen për korrupsion, është shtyrë pasi që deputetja nga radhët e Vetëvendosjes, Jetmirë Vrenezi, ka pasur probleme shëndetësore.

Avokatja, Flaka Gutaj, e ka njoftuar gjykatën se e mbrojtura e saj, Jetmirë Vreneze, ka probleme shëndetësore dhe është e shtrirë në Qendrën Klinikë Universitare të Kosovës.

Të njëjtin rast e ka konfirmuar edhe për Gazeta Sinjali, duke thënë se për shkak të lindjes së parakohshme, ajo për momentin është e shtrirë në QKUK.

Në mungesë të të akuzuarës Vrenezi, kryetarja e trupit gjykues Kymete Kicaj e ka shtyrë gjykimin dhe ka caktuar datat e reja për seancat e radhës, ku do të mbahen më 16 shtator 2021 ora 10:00, 04 dhe 14 tetor 2021 në ora 10:00.

Islam Thaqi, Jetmire Vrenezi, Egzonë Morina-Thaqi, Arian Taraku, Isë Bislimaj dhe Shqipëron Krasniqi, akuzohen për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, pasi sipas prokurorisë, ata kishin tejkaluar kompetencat e tyre në rastin e rrënimit të aneksit të “Abi Çarshia” në Prizren.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, më 20 dhjetor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Islam Thaqi, Jetmire Venezi, Egzonë Morina-Thaqi, Arian Taraku dhe Isë Bislimaj, të cilët po i ngarkon me veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit realizojnë rrënimin e aneks-objektit të “Abi Çarshia”, duke e ditur se i dëmtuari ka dorëzuar aplikacionin për legalizim.

Sipas Prokurorisë, këto vendime obligojnë organet komunale në Prizren të veprojnë konform Ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje, si dhe udhëzimeve administrative në fuqi, andaj sipas aktakuzës, të akuzuarit duke mos i përfillur këto vendime, veprojnë në kundërshtim me ligjet në fuqi.

Dëmi që pretendohet se i është shkaktuar “Abi Çarshia”, me rrënimin e aneksit në fjalë, është në vlerë prej 69 mijë e 729 euro./Gazeta Sinjali/