Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka shkruar në llogarinë e saj në Facebook, se LDK nuk mund të jetë në opozitë, për shkak se siç ka thënë ajo, LDK duhet të zgjedh të bëjë koalicion me VV-së ose vendi do të shkojë në zgjedhje përsëri.
Ajo ka thënë se VV qysh në fushatën zgjedhore ka bërë të qartë se dëshirojnë koalicion me LDK-në, por që nuk e kanë menduar se kjo mund t’i dobësoj pozitat e tyre negociuese.
Shkrimi i plotë i saj:
Në lidhje me deklaratat e disa përfaqësuesve të LDK-së, se ata mund të shkojnë në opozitë.
Lëvizja VETËVENDOSJE! e ka bërë të qartë që në fushatë zgjedhore se preferon të qeverisë me LDK- në dhe qëndrojmë pas këtyre deklaratave. Në asnjë moment nuk kemi menduar se kjo mund dhe do të dobësojë pozitat tona negociuese.
Interesi e vëmendja jonë është të realizojmë pritshmëritë e qytetarëve, duam të forcojmë institucionet e mirëqeverisjen, jo pozitat tona.
Andaj dhe LDK s’mund të jetë në opozitë. Ata do të zgjedhin të qeverisin me LV! ose do të kthehemi tek qytetarët.