Kundër miratimit të kodit të ri civil, që lejon regjistrimin e martesës mes personave të gjinisë së njëjtë ka dalë edhe deputetja e Vetëvendosjes, Labinotë Demi-Murtezi.
Demi-Murtezi tha se votën kundër synon “të mbrojë moralin publik” derisa tha se korniza ligjore në Kosovë nuk e pengon një çift të gjinisë së njëjtë që të bashkëjetojë.
“Kjo çështje ka nxitur edhe reagimin e bashkësive fetare, reagim të cilin e përshëndes. Nuk mund të themi se një parti e caktuar politike ka të drejtën e mendimeve brenda Grupit Parlamentar dhe se pozita unanimisht duhet të votojë në mënyrën e veçantë. Personalisht nuk kam provuar dhe as do të provoja kurrë të ndikoj në mendimin e dikujt tjetër sikur nuk ka provuar dhe ndikuar askush në mendimin tim. Pra, kjo është arsyeja se pse kërkesa për zyrtarizmin e lidhjes së çifteve të tilla me martesë e bashkësi civile merr dimension tjetër shoqëror, universal pasi që nuk mund të lejohet bashkësia apo të pengohet. Arsyeja pse është më mirë të mos parashihet në kod martesa apo bashkësia e regjistruar mes personave të gjinisë së njëjtë është mbrojtja e moralit publik”.
“Çdo lidhje jashtë këtij kombinimi konsiderohet shthurje dhe degjenerim moral. Deklaroj votën time kundër në formën se si ka ardhur ky kod civil, prandaj i them po martesës tradicionale, mbrojtjes së moralit publik, mbrojtjes së shëndetit publik dhe mbi të gjitha mbrojtjes së interesit më të mirë të fëmijëve”, deklaroi ajo.