image Deputetja e Vetëvendosjes del sot para Gjykatës

Drejtësi

Deputetja e Vetëvendosjes del sot para Gjykatës

news image

Sot pritet të vazhdojë gjykimi ndaj deputetes së Kuvendit të Kosovës nga radhët e Vetëvendosjes, Jetmire Vrenezi, si dhe ndaj të akuzuarve tjerë, Islam Thaqi, Egzonë Morina – Thaqi, Arian Taraku, Isë Bislimaj dhe Shqipëron Krasniqi, shkruan Gazeta Sinjali.

Të dyshuarit e lartpërmendur akuzohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”.

Kjo seancë ishte caktuar të mbahej më datë 3 qershor, por ishte shtyrë për shkak se e akuzuara Vrenezi, njëherësh edhe deputete e Kuvendit, kishte munguar në seancë për shkak të angazhimit të saj në seancën plenare të Kuvendit.

Më 20 dhjetor 2019, Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj Islam Thaqit, Jetmire Venezit, Egzonë Morina-Thaqit, Arian Tarakut dhe Isë Bislimajt, të cilët i ka akuzuar me veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në aktakuzën e prokurorisë thuhet se me 19 dhe 21 korrik 2019 në Prizren, në objektin “Abi Çarshia”, të akuzuarit Islam Thaqi, në cilësinë e drejtorit të Inspektoratit, Jetmire Verezi dhe Egzona Morina Thaqi, inspektore të ndërtimit, Arianit Taraku dhe Isë Bislimaj, zyrtarë në Drejtorinë e Inspektoratit, Shqipëron Krasniqi, përfaqësues ligjor në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, i tejkalojnë kompetencat e tyre me qëllim të shkaktimit të dëmit “Abi” SHPK në Prizren, raporton ‘Betimi për Drejtësi’.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit kishin kryer rrënimin e aneks-objektit të “Abi Çarshia”, duke e ditur se i dëmtuari ka dorëzuar aplikacionin për legalizim.

Prokuroria pretendon se të njëjtit kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për trajtimin e ndërtimeve pa leje, me Udhëzimin Administrativ nr.06/19, me Ligjin mbi procedurën e përgjithshme administrative, si dhe vendimet e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, nr. A-213/18 dhe A-179/19, me të cilat ishin anuluar aktvendimet e Drejtorisë së Inspektoratit Komunal të Ndërtimtarisë në Prizren.

Sipas Prokurorisë, këto vendime obligojnë organet komunale në Prizren të veprojnë konform Ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje, si dhe udhëzimeve administrative në fuqi, andaj sipas aktakuzës, të akuzuarit duke mos i përfillur këto vendime, veprojnë në kundërshtim me ligjet në fuqi.

Dëmi që pretendohet se i është shkaktuar “Abi Çarshia”, me rrënimin e ankesit në fjalë, është në vlerë rreth 69 mijë e 729 euro, shkruan ‘Betimi për Drejtësi’. /Gazeta Sinjali/