image Deputetja e PDK-së: Kurti po provokon marrëdhëniet ndërshtetërore mes Kosovës e Shqipërisë

Politikë

Deputetja e PDK-së: Kurti po provokon marrëdhëniet ndërshtetërore mes Kosovës e Shqipërisë

news image

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu Kodra, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti, se po provon të ngjitet tutje mbi provokimin e marrëdhënieve ndërshtetërore e vëllazërore mes Kosovës e Shqipërisë.

Deliu-Kodra, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “Albin Kurti nuk di të lundrojë mbi ujërat e patrazuar ndërshqiptar!

Postimi i plotë i deputetes Deliu-Kodra:

“’Some people do not have good ideas, but they have principles’! (Disa njerëz nuk kanë ide të mira, por kanë parime!).

Një thënie që ironizon njerëzit, të cilët paaftësinë e tyre mundohen ta fshehin pas qëndrimeve “parimore”. Nën pëlhurën e këtij kamuflimi, Vetëvendosje arriti të mashtrojë gjysmën e elektoratit. Por, me veprimet e javëve të para qeverisëse, sikur emërimet fisnore, vaksinimet familjare dhe i koncentrimit politik në rivalizimin me Shqipërinë, në vend të përpjekjeve për imunizimin e popullatës dhe hartimit të një plani për rimëkëmbje, kamuflazhit po i del boja!

Albin Kurti nuk di të lundrojë mbi ujërat e patrazuar ndërshqiptar! Ai manipuloi dhe cyti partitë shqiptare në Kosovë të ndërsyjnë dhe sulmojnë dhunshëm kolegët në Kuvend për t’u ngritur vetë mbi këtë valë dhune, ndërsa tani provon të ngjitet tutje mbi provokimin e marrëdhënieve ndërshtetërore e vëllazërore mes Kosovës e Shqipërisë. Si duket, metoda antike e të sunduarit duke përçarë, ende nuk është e lexuar në kulturën tonë politike!

Përderisa Kurti mëton të sundojë duke përçarë, ekonomia e Kosovës mbetet më e dënuara në rajon si pasojë e keqmenaxhimit pandemisë. Ndërsa, një projekt i rimëkëmbjes, nuk shihet as në horizont!”, ka shkruar Kodra-Deliu. /Gazeta Sinjali/