Deputeti i zgjedhur i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci ka reaguar pas mbylljes së dy institucioneve mikrofinanciare “Monego” dhe “Iute Credit”.
Sipas tij, Prokuroria e Shtetit duhet të hetojë deri në fund këtë rast, duke përfshirë këtu edhe Bankën Qendror të Kosovës.
“Prej ditës kur janë licencuar institucionet financiare “Monego” dhe “Iute Credit” janë mbikqyrur nga BQK-ja. A do të thotë që Banka Qendrore disa vite i ka lejuar tê ushtrojnë veprimtari në kundërshtim me ligjin, madje edhe të ketë lidhje direkte të oligarkëve rus si dhe përsëri shteti të mos veproj. A e detyruan Bankën Qendrore partnerët perendimor t’i mbyllin këto dy institucione. Duke u bazuar në këto dyshime, kërkojmë nga Prokuroria e Shtetit që të hetojë të gjitha veprimet e këtyre dy institucioneve financiare, si dhe të hetojë Bankën Qendrore e cila është e obliguar të mbikqyrë dhe marrë masa ndaj shkeljeve ligjore që në rastin e këtyre dy kompanive kanë ndodhur prej licencimit, e deri në ditën e mbylljes”, ka shkruar Bajqinovci.
Një javë më parë, Banka Qendror e Kosovës ka marrë vendim të mbyll dy institucione mikrofinanciare: Iute Credit dhe Monego, kjo për shkak të tarifave të larta
“Banka Qendrore Ka vendosur të revokojë regjistrimin dhe të iniciojë procedurat e likuidimit për institucionin mikrofinanciar Iute Credit Kosova dhe për institucionin jobanka Monego. Devijimi më i rëndësishëm ka të bëj me normën e interesit që këto institucione kanë aplikuar në kredi – të cilat kanë qëlluar të jenë shumëfish më të larta në krahasim me normën që këto institucione kishin paraparë në planin e tyre të biznesit”, ka thënë Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti.