Deputeti i zgjedhur nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haxhi Avdyli, ka deklaruar përmes rrjetit social Facebook se posti i Presidentit duhet t’i besohet emrit të propozuar nga LDK.
Avdyli ka paralajmëruar Lëvizjen Vetëvendosje se qeveria nuk bëhet duke e sharë varrin e Presidentit, Ibrahim Rugova.
“Presidenca si një pozicion i 2021, mund ti besohet që ai emër i propozuar nga LDK e pranuar nga VV të procedohet por nëse s’ka 80 deputetë në sallë, ne nuk jemi aq të ngurtë edhe për ta rishikuar edhe vendimin tonë përbashkët. Por harroni që mund ta merrni votën tonë për personalitete që ia shajnë edhe varrin për së vdekuri të Presidentit Rugova, që akoma sillen si ideologë të vrasjeve të vëllezerve tanë e të tuaj e që edhe sot në 2019 thonë punë e madhe që janë vra qindra njerëz të mirë të Kosovës në emër të LDK-së”, ka shkruar ai.
Ai ka paralajmëruar që nëse harmonizimi i qëndrimeve nuk arrihet, vendi do të shkojë në zgjedhje.
“Nëse ky partneritet prishet i krijuar jo lehtë vështirë ka për tu rikrijuar, por edhe pasojat për vendin do jenë të mëdha. Sepse s’di me kënd do bëjmë fushatë kur mijëra njerëz çdo ditë po ikin nga ky vend nga humbja e shpresës. #edhe9dit”, ka shkruar ai
Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës deri më tash kanë zhvilluar tetë takime. Të dy partitë akoma thonë se nuk kanë ndonjë datë kur të takohen për ta arritur marrëveshjen për formimin e koalicionit qeverisës. 26 dhjetori do të jetë data kur presidenti i vendit, Hashim Thaçi, e ka ftuar konstituimin e kuvendit.