Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, ka reaguar pas deklaratës së senatorit amerikan, David Perdue, i cili tha se SHBA-ja -do ta rishqyrtojë praninë e saj, nëse Kosova nuk është plotësisht e përkushtuar për paqe me Serbinë.
Selamanaj i LDK-së e ka cilësuar këtë si lajmin më të keq që ka marrë Kosova 20 vitet e fundit.
“E përjetuam edhe këtë!!!!!! Lajmin se SHBA-të kanë bllokuar 200 milion dollarë që ishin planifikuar që të investoheshin në Kosovë përmes MCC (50 milion) dhe projektit të gazit – rreth 150 milionë, është lajmi më i keq që ka marrë Kosova 20 vjet e fundit. Jemi mësuar që lajmet e tilla nga SHBA-të, ti shohim në raport me Korenë e Veriut, Kubën, Kinën, Venezuelën apo Rusinë, por kurrë se kisha menduar dhe besuar që kjo do i ndodh vendit tonë”, ka shkruar Selmanaj në Facebook.
Deputeti ka kërkuar që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të reflektojë me urgjencë, në të kundërtën, thotë ai, kjo qeveri e humb kuptimin e saj.
“Vlera monetare e humb rëndësinë karshi dëmit kolateral që Kosova do ta ketë në imazhin ndërkombëtarë të saj. Harroni njohjet e reja, harrojeni anëtarësimin e Kosovës në organizata ndērkombëtare, izolimin e kemi ne prag. Është momenti i fundit që kryeministri Kurti të reflektojë me urgjencë, në të kundërt kjo qeveri humb kuptimin e vet”, ka thënë Selmanaj.
Në mbështetje të senatorit amerikan ka dalur emisari amerikan për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell, i cili e shpërndau postimin e Perdues në Twitter, duke lënë të kuptohet se ky është edhe qëndrimi zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.
Tash, së fundmi edhe djali i presidentit amerikan, Donald Trump JR, e ka mbështetur deklaratën e senatorit amerikan.
Donald Trump Jr, përmes rrjetit social Twitter, ka thënë se ka ardhur koha t’i kthejnë në shtëpi trupat amerikane, transmeton Gazeta Sinjali.
“Pajtohem. Janë rreth 650 trupa amerikanë në Kosovë. Ka ardhur koha t’i kthejmë ata në shtëpi”, ka shkruar ai në Twitter. /Gazeta Sinjali/