Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shkëmb Manaj, ka thënë se qeveria e udhëhequr nga Avdullah Hoti është qeveria më e suksesshme e pasluftës.
“Qeveria jonë nuk është ndërtuar mbi forcën e muskujve mbi idenë e konfrontimin me miqtë tanë. Qeveria Hoti nuk njeh shtëpi tjera orientuese përveç Shtëpisë së Bardhë. Njoha e pavarësisë nga shteti i Izraelit është hap historik për shtetin tonë dhe ideja e ndarjes së Kosovës është evituar tërësisht”, është shprehur Manaj.
Sipas deputetit të LDK-së, Hoti është kryeministri i parë i vendit që është ftuar në Shtëpinë e Bardhë për nënshkrimin e marrëveshjeve.
“Hoti është kryeministri i parë i vendit tonë që arrin të ftohet në Zyrën Ovale në Shtëpinë e Bardhë dhe të nënshkruajë marrëveshje dhe takimet në Bruksel dhe NATO janë mesazhi më i mirë. Qeveria Hoti ka shënuar progres të madh në menaxhimin e pandemisë duke u renditur tash si vendi me më pak raste në rajon me COVID-19”, ka thënë ai.
Në anën tjetër, Manaj thotë se ish-kryeministri, Albin Kurti, nga ideja e bashkimit kombëtar i solli marrëdhëniet e Kosovës me Shqipërinë në pikën më të keqe.
“Nga ideja e bashkimit kombëtar, ai [Kurti] na solli në pikën më të keqe me Shqipërinë për shkak të protagonizmit politik me kryeministrin Edi Rama, ndërsa pranonte teste nga Serbia dhe e paraqiste Serbinë si shtet human”, ka thënë ai./Gazeta Sinjali/