Deputeti i LDK-së, Shkëmb Manaj, i ka reaguar deputetit të VV-së, Haki Abazit për postimin e tij të mëhershëm ku thoshte se LDK-së do i takonte posti i presidentit po t’i kishte fituar zgjedhjet e 6 tetorit.
Manaj ka theksuar se LDK-ja me 26 deputet më shumë se partia e dytë në vitin 2001, ka udhëhequr me Parlamentin dhe Presidencën, VV-ja ka vetëm një deputet më shumë.
“LDK në kohën e Ibrahim Rugovës në vitin 2001, si partia e parë ka pasur 47 deputetë, ndërsa partia e dytë (PDK) ka pasur 26 deputetë, 21 deputetë me pak se LDK. Në këtë kohë, LDK ka udhëhequr Parlamentin dhe Presidencën, ndërsa Kryeministrin e ka pasur partia e dytë e cila i ka pasur 21 deputetë me pak se partia e parë. Tani VV ka 29 deputetë si partia e parë dhe LDK ka 28 deputetë si partia e dytë, diferenca është vetëm 1 deputet”, ka thënë Manaj, shkruan Gazeta Sinjali.
Mirëpo, Manaj ka thënë se nëse Abazi dëshiron që posti i Kryeministrit t’i takoj LDK-së ndërsa VV-ja t’i merr Presidentin dhe Kryeparlamentarin, marrëveshja arrihet nesër.
“Nëse z. Haki Abazi, ju ka ba marak që ky kombinim të jetë model i ndarjes së përgjegjësive shtetërore tani, atëherë LDK e ka dhënë edhe këtë ofertë që LDK si partia e dytë ta marr Kryeministrin, ndërsa VV si partia e parë ta merr Presidentin dhe Kryetarin e Kuvendit ( edhepse nuk i ka 47 deputetë sa i ka pasur LDK kur i ka pasur këto dy pozicione). Nëse doni kështu, nesër e arrijmë këtë marrëveshje!”, shkruan ai në fund. /Gazeta Sinjali/