image Departamenti amerikan i Shtetit: Kosova ka potencial për investime, por e pengon korrupsioni

Politikë

Departamenti amerikan i Shtetit: Kosova ka potencial për investime, por e pengon korrupsioni

news image

Departamenti amerikan i Shtetit ka publikuar raportin për mjedisin e investimeve në Kosovë, duke thënë se përkundër potencialit ekzistues ka vështirësi të shumta për investuesit e huaj.

Sipas Departamentit amerikan, Kosova ka potencial për të tërhequr investime të huaja direkte, por ky potencial kufizohet nga dështimi për të adresuar disa çështje strukturore serioze, duke përfshirë integrimin e kufizuar ekonomik rajonal dhe global, paqëndrueshmërinë politike dhe ndërhyrjet në ekonomi, korrupsionin dhe furnizimin e pasigurt me energji.

Mes tjerash Departamenti amerikan ka përfshirë edhe sektorin e madh informal, vështirësitë në krijimin e të drejtave pronësore dhe sundimin e dobët të ligjit, si dhe mungesën e dukshme në zbatimin e kontratës.

Raporti thotë se Kosova, si një nga shtetet më të varfra në Europë, u godit rëndë nga pandemia. Megjithatë, aty thuhet se përkundër që rënia e ekonomisë u parashikua të jetë 7.2 për qind, falë masave të shpejta të Qeverisë së Kosovës, veçanërisht vendimit për të lejuar qytetarët e Kosovës të tërheqin 10 për qind të kursimeve të tyre të fondit pensional dhe ndihmën nga donatorët ndërkombëtarë, që nga shkurti 2021, vlerësimi i fundit i rishikuar nga FMN parashikon një tkurrje prej vetëm 6 për qind në vitin 2020.

Pandemia nuk çoi në ndryshime të përhershme të politikave të investimeve në Kosovë. Qeveria miratoi disa masa lehtësuese të cilat janë të gjitha të përkohshme dhe të përqendruara në ruajtjen e niveleve të punësimit dhe ndihmën e bizneseve për të ruajtur likuiditetin. Si e tillë, masat lehtësuese të COVID-19 të Kosovës nuk patën ndikim të dukshëm në politikat e gjera të investimeve”, shkruhet në raport.

Gjithashtu, raporti thotë se ligjet dhe rregulloret e Kosovës janë në përputhje me standardet ndërkombëtare për mbështetjen dhe mbrojtjen e investimeve, megjithëse zbatimi i drejtësisë mbetet i dobët.

 “Të gjitha sistemet ligjore, rregullatorë dhe të kontabilitetit në Kosovë janë modeluar sipas standardeve të BE-së dhe praktikave më të mira ndërkombëtare. Kompanitë e listuara publikisht kërkohet të jenë në përputhje me standardet ndërkombëtare të kontabilitetit”.

/GazetaSinjali/