image Denoncimi nga ish e dashura, ‘sebep’ për arrestimin e rreshterit të Policisë në Pejë

Ekskluzive

Denoncimi nga ish e dashura, ‘sebep’ për arrestimin e rreshterit të Policisë në Pejë

news image

Rreshteri i stacionit policor në Pejë, Gani Lajqi sot ka përfunduar në prangat e IPK-së, pasi dyshohet se ka qenë i përfshirë në aktivitete të kundërligjshme.

Sinjali ka mësuar cilat janë dyshimet mbi të cilat Inspektorati Policor i Kosovës ia ka vënë prangat Lajqit.

Burimet të Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë Themelore në Pejë bëjnë të ditur se shkaku i arrestimit të Lajqit është ngacmimi dhe shantazhi që rreshteri dyshohet se ia kishte bërë ish të dashurës së tij.

Të njëjtat burimet kanë bërë të ditur se Lajqi kishte insistuar të vazhdojë lidhjen tashmë të përfunduar, përkundër mungesës së vullnetit të ish të dashurës së tij.

Refuzimi për ta vazhduar lidhjen me rreshterin policor, duket të jetë bërë ‘sebep’ që ky i fundit ta ngacmonte në vazhdimësi ish të dashurën e tij, madje në një rast dyshohet se edhe e ka shantazhuar me publikimin e disa fotografive e informatave që mund ta sillnin para turpit të rëndë.

Për këto arsye, e dëmtuara e ka paraqitur rastin në Polici e më pastaj edhe në IPK, të cilët zhvilluan hetime preliminare dhe konstatuan dyshimin për përfshirjen e rreshterit policor në aktivitete kriminale.

Me urdhër të Gjykatës Themelore ne Pejë është realizuar dhe kontrolli i shtëpisë dhe banesës së rreshterit Lajqi ku janë gjetur dhe sekuestruar prova të ndryshme.

Pas arrestimit, me aktvendim të prokurorit, Lajqit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. /GazetaSinjali/