Gjykata Themelore në Prizren ka dënuar me burgim të përjetshëm, Shefki Spahiun, ish-rreshterin e Policisë së Kosovës, për vrasjen e Jetmir Aliajt, ish-punëtorit të një kazinoje në Suharekë, raporton Gazeta Sinjali.
Spahiu u shpall fajtor për aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Prizren të ngritur më 31 maj të vitit 2019, sipas të cilës, më 17 mars të po atij viti në Suharekë, në një kazino, e cila gjendet në rrugën e Reshtanit, me qëllim të fitimit të dobisë pasurore ish-rreshteri ka privuar nga jeta Jetmir Aliajn, punëtor i kazinosë.
Gazeta Sinjali publikoi mbrëmë rrëfimin ekskluziv të bashkëshortes së të ndjerit, Jetmir Aliajt, A.A., e cila kërkoi që Shefki Spahiu të dënohet me burg të përjetshëm dhe tha se po të ishte në dorën e saj, ajo do ta kishte ekzekutuar të dyshuarin.
“Jeni të vetmit deri më tani që më keni kontaktuar, prandaj unë, bashkëshortja e Jetmirit shpresoj që gjykata të marrë vendimin e duhur, padyshim kërkoj burgim të përjetshëm. Po të më dëgjonin mua do të kërkoja ekzekutimin e tij para të gjithëve”, ka thënë ajo.
Ky rast tragjik përveç që e ka shkatërruar atë, ajo thotë se “u ka ndalur diellin fëmijëve, të cilët çdo mbrëmje bien në gjumë me shpresën se babai i tyre kthehet në mëngjes”.
Sipas aktakuzës, Shefki Spahiu pasi qëndroi në kazino, papritur duke shfrytëzuar besimin dhe sinqeritetin e Jetmir Aliajt, në mënyrë dinake e kishte nxjerrë armën-pistoletën e markës “Glock”, të cilën e kishte të gatshme për shkrepje dhe nga një distancë 1 metër kishte shtënë një herë në pjesën ballore të kokës, duke shkaktuar vdekjen e viktimës.
Me këto veprime Shefki Spahiu akuzohej se ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë. Ndërsa sipas pikës së dytë të aktakuzës, ai akuzohej se pas kryerjes së vrasjes, kishte hyrë në dhomën ku kanë qenë të vendosura pajisjet e kamerave të kazinosë dhe kishte shkatërruar, dëmtuar dhe fshehur provat me qëllim të pamundësimit të shfrytëzimit të dëshmive në procedurë zyrtare. Me këto veprime Shefki Spahiu akuzohej se ka kryer veprën penale “Manipulim me Prova”./Gazeta Sinjali/