image Dënohet me 8 muaj burgim dhe me 400 euro gjobë i akuzuari për dhunë në familje

Drejtësi

Dënohet me 8 muaj burgim dhe me 400 euro gjobë i akuzuari për dhunë në familje

news image

Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, e ka shpallur fajtor të akuzuarin R.K., për veprën penale “Dhunë në familje”, raporton Gazeta Sinjali.

Sipas njoftimit të gjykatës, R.K., më 23 maj të këtij viti, në Prizren, ka kryer dhunë ose keqtrajtim psikologjik ose ekonomik me qëllim të cenimit të dinjitetit të personit tjetër brenda familjes, në atë mënyrë që për shkak të mosmarrëveshjes të vazhdueshme me të dëmtuarën – bashkëshorten e tij, për arsye të xhelozisë nga ana e të akuzuarit, i njëjti të dëmtuarën – bashkëshorten e tij në prezencë të fëmijëve të tyre i bën presion psikologjik duke e akuzuar të dëmtuarën se është duke e tradhtuar dhe se po komunikon në rrjete sociale, duke i cenuar dinjitetin e të dëmtuarës.

Me këto veprime, gjyqtari Fatmir Krasniqi ka vlerësuar se i akuzuari ka kryer veprën penale “Dhunë në familje”.

Kësisoj, gjykata e ka dënuar të akuzuarin me 8 muaj burgim dhe me 400 euro gjobë.

Pas shpalljes së aktgjykimit, gjyqtari i rastit  ka njoftuar palët që brenda afatit ligjor të gjithë palët në procedurë do të pranojnë aktgjykimin e plotë në formë të shkruar dhe të arsyetuar.

“Gjithashtu, gjyqtari i procedurës, të akuzuarit R.K., pas shpalljes së aktgjykimit, i ka vazhduar paraburgimin dhe atë nga data e ndalimit me datë 23.05.2021 e deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit”, thuhet tutje në njoftim.

Kundër këtij aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit./Gazeta Sinjali/