image Dënohet me 25 vjet burgim polici që vrau qytetarin në Gjilan

Drejtësi

Dënohet me 25 vjet burgim polici që vrau qytetarin në Gjilan

news image

Gjykata Themelore në Gjilan ka dënuar sot policin Vllaznim Hamdiu, i cili dyshohet se më 29 dhjetor të 2019 ka qëlluar për vdekje qytetarin Lulzim Spahiu.

Sinjali nga burimet ka mësuar se Gjykata i ka caktuar dënim unik prej 25 vite burgim për tri vepra penale ” Vrasje e rëndë” , “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Përdorimi i armës, apo mjetit të rrezikshëm.”

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjilan, i pandehuri Vllaznim Hamdiu, zyrtar policor për mbrojtje të afërt në Policinë e Kosovës, më 29 dhjetor 2019, rreth orës 04:50 minuta, në Gjilan, me armë zjarri ka privuar nga jeta të ndjerin Lulzim Spahiu, ashtu që derisa ishte duke drejtuar automjetin e tij, pasi arrin në rrugën “NATO 99”, shkaktohet aksident trafiku me kamionin të cilin ishte duke e drejtuar viktima, tani i ndjeri Lulzim Spahiu, me ç’rast pas mosmarrëveshjeve rreth aksidentit me viktimën dhe djalin e viktimës, e nxjerrë armën e zjarrit, ndërsa, pasi viktima hyn në kamion dhe e mbyll derën, i njëjti afrohet tek dera dhe pasi dritarja ishte hapur, gjuan një herë në drejtim të viktimës, ku e godet nën vetullën e syrit të djathtë, i cili për shkak të plagëve të marra ndërron jetë në vendin e ngjarjes.

Me këto veprime, i pandehuri Vllaznim Hamdiu, ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë.

Gjithashtu, i njëjti pa autorizim ka mbajtur në posedim edhe dy revole të tjera, të cilat iu janë gjetur në automjetin e tij dhe fishekë të llojeve të ndryshëm. Në këtë mënyrë ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Po ashtu, para rastit të ndodhur, i pandehuri Vllaznim Hamdiu, në një restorant në fshatin Malishevë, gjersa ishte duke dëgjuar muzikë, me armë zjarri ka shkrepur disa herë brenda lokalit. Me këto veprime ka kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo i mjetit të rrezikshëm”.

 /Gazeta Sinjali/