image Dëmtohen dhe vjedhen minibibliotekat në kryeqytet

Kosovë

Vandalizëm/ Dëmtohen dhe vjedhen minibibliotekat në kryeqytet

news image

Minibibliotekat e përuruara së fundi në “Bregun e Diellit” dhe  në Lagjen e Spitalit janë dëmtuar dhe vjedhur nga persona të papërgjegjshëm.

Banorët e këtyre lagjeve kanë njoftuar se minibiblioteka në “Bregun e Diellit” është sulmuar me gurë me ç`rast i janë thyer dritaret ndërsa minibiblioteka tjetër në lagjen e Spitalit ka mbetur pa asnjë libër pasi i janë vjedhur të gjitha.

Këto akte vandale janë dënuar nga organizata ETEA e cila është njoftuar nga banorët për këto vepra të ulëta.

“Nga përvoja e deri tanishme kemi kuptuar se minibibliotekat janë në rrëzik të lartë në ditët e para dhe kjo duket se vjen nga kurreshtja e tepërt e faktorit njeri, pamundësia e këtij të fundit për ta pranuar të renë dhe paaftësia e pandjeshmëria për t’u kujdesur dhe vlerësuar pronën e përbashkët. Me pak fjalë, derisa minibibliotekat të bëhen pjesë e përditshmërisë sikurse në lagjet “Dardania” dhe “Ulpiana” – ato do të dëmtohen dhe/apo keqpërdoren.”, thuhet në reagim.

Lidhur me rastin është Policia e Kosovës e cila i ka cilësuar këto vepra si  “Dëmtim i pronës dhe vjedhje e rëndë”.  Personat që i kanë bërë këto veprime të pahijshme pritet të identifikohen përmes kamerave të sigurisë.

“Të gjithë jemi të vetëdijshem se lexues ka më pak, por fuqia e dijes është më e madhe se çfarëdo force tjetër dekonstruktive.  Prandaj, siç kemi thënë edhe më parë, minibibliotekat do të ndërtohen. Edhe nëse rrënohen – minibibliotekat do të rindërtohen – derisa rrënuesit të bëhen lexues.”, thuhet në reagim.

Pas përfundimit të procedurave juridike, organizata ETEA fton komunitetin kontributdhënës dhe lexuesit që të organizohen për ta bërë sa më shpejt rimbushjen me libra të minibibliotekës në “Lagjen e Spitalit” dhe renovimin e minibibliotekës  në “Breg të Diellit”. Kjo organizatë falënderon qytetarët e kulturuar që po kujdesen për minibibliotekat, për bashkëpunimin dhe gatishmërinë e tyre që të kontribuojnë në të gjitha aspektet për mirëmbajtjen dhe funksionalizimin e tyre.

Së shpejti, minibiblioteka të tilla do të hapen edhe në Sheshin “Nëna Terezë”, Lagjen “Qafa”, Taukbahçe, Sheshin “Adem Jashari”, Kampusin Universitar, Lagjen “Arbëria” dhe në Parkun e Qytetit të Komunës së Prishtinës./Gazeta Sinjali/