Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra ka reaguar ndaj komunikatës së Vetëvendosjes, pasi kjo e fundit ka krahasuar shifrat e vdekjeve të shkaktuara nga koronavirusi në vend, me ato të luftës, shkruan Gazeta Sinjali.
Përmes një postimi në Facebook, Deliu-Kodra është shprehur se ky veprim është shembulli grotesk i propagandës politike që tejkalon etikën njerëzore.
“Viktimat e luftës në Kosovë nuk janë pasojë e fatkeqësisë, por e krimit të paramenduar nga shteti serb. Politizimi i viktimave të luftës është i padenjë dhe i papranueshëm për një shoqëri të emancipuar. Sinqerisht pres reagimin e shoqatave dhe organizatave që mbrojnë dhe kërkojnë të drejtën e viktimave të luftës”, ka shkruar ndër të tjera ajo.
Tutje, deputetja e PDK-së ka shtuar se keqmenaxhimi i pandemisë mbetet përgjegjësi e dy partive politike, VV e LDK, për të cilat thotë se manipuluan me ndjenjat e qytetarëve për përfitime të ulëta partiake. /Gazeta Sinjali/