Procesi i votimit në komunën e Podujevës dhe Mitrovicës së Veriut tani më është përmbyllur dhe ky proces në këto dy komuna është zhvilluar pa probleme, shkruan Gazeta Sinjali.
Kështu është shprehur kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, përmes një konference për media e cila shtoi tutje se këtë e tregon më së miri edhe numri i vogël i rasteve që janë paraqitur në Dhomën Operative të KQZ-së, vetëm 6 gjatë gjithë ditës, e që sipas saj këto janë raste që nuk cenojnë integritetin e zgjedhjeve.
Daka tha se në komunën e Podujevës, në procesin e sotëm zgjedhor kanë votuar 40.51% e votuesve 35 mijë e 400 nga 87 mijë e 381 sa është numri i përgjithshëm i tyre. Në Zgjedhjet Lokale të vitit 2017, deri në të njëjtën orë kishin votuar 40 mijë e 162 votues apo 47.7%.
Ndërsa, në komunën e Mitrovicës së Veriut, ajo theksoi se kanë votuar 39.14% e votuesve apo 9 mijë e 124 votues nga 23 mijë e 313 votues sa është numri i tyre. Në Zgjedhjet Lokale të vitit 2017, deri në të njëjtën kohë kishin votuar 8 mijë e 269 votues apo 37.9%.
“Në fund, më lejoni që të falënderoj qytetarët e këtyre komunave, të cilët në rrethana të jashtëzakonshme në kohë pandemie, morën pjesë në votime dhe ndihmuan KQZ-në në zbatimin e masave mbrojtëse të institucioneve shëndetësore”, u shpreh ajo.
“Në emër të KQZ-së, falënderoj Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë e Shtetit, që gjatë gjithë ditës luajtën rolin e tyre të pazëvendësueshëm në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor si dhe institucionet tjera të Republikës së Kosovës”.
Gjithashtu, ajo falënderoi edhe anëtarët e Këshillave të Vendvotimit për punën e treguar deri më tani si dhe u kërkoi atyre që të respektojnë ligjin dhe procedurat gjatë fazës në vazhdim: numërimin e fletëvotimeve dhe përmbylljen e procedurave të parapara.
“Krejt në fund, falënderoj të gjitha mediat që pasqyruan procesin e sotëm zgjedhor dhe gazetarët që vizituan kaq shumë qendra të votimit dhe sollën atmosferën e qetë të këtij procesi zgjedhor. Ndërsa, nga ora 19:00 ka filluar afati për të paraqitur ankesat në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me zhvillimet në vendvotime gjatë ditës së sotme”, përfundoi ajo. /Gazeta Sinjali/