Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka ka thënë se të enjten do të shpallen rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të mbajtura në Podujevë dhe Mitrovicë të Veriut, shkruan Gazeta Sinjali.
Këtë deklaratë, Daka e bëri në mbledhjen e sotme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
“Besoj që nesër fillon numërimi i votave me kusht, dhe rezultatet përfundimtare të dalin të enjten”, tha Daka.
Ajo shtoi se pas kësaj do të presin edhe për ankesat që mund t’i kenë partitë politike.
Kurse Burim Ahmetaj nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve ka thënë se 97 për qind e fletëvotimeve janë procesuar si të rregullta.
Ai ka shtuar se një numër shumë i vogël janë në auditim sepse janë ngatërruar numri i fletëvotimeve të vlefshme dhe pavlefshme por nuk kanë ndikim në rezultate. /Gazeta Sinjali/