Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se nëse nuk do të arrihej marrëveshja e parë mes Kosovës dhe Serbisë, në Bruksel në vitin 2013, “Kosova do të ishte një shtet i kompletuar dhe i njohur”.
Daçiq ka thënë për Tanjug se marrëveshja e Brukselit ishte maksimumi i mundshëm për t’u arritur në atë kohë.
Tutje ish-kryeministri i Serbisë ka thënë se Serbia aktualisht dëshiron shumë më shumë të drejta për popullin serb që jeton në Kosovë.
“Nëse atëherë nuk do të kishim marrëveshjen e Brukselit, jam i sigurt se Kosova do të kishte kohë që ishte kompletuar si shtet i njohur ndërkombëtarisht dhe pyetja e madhe do të ishte se a do të kishte fare serb atje”, ka thënë Daçiq.
Daçiq ka folur edhe për atë se sa palët i kanë përmbushur marrëveshjet që dalin nga negociatat e Brukselit. Ai ka përmendur çështjen e Asociacionit, duke thënë se tashmë Asociacioni s’është punë e Prishtinës por e ndërmjetësuesve, që sipas Daçiqit e kanë për detyrë t’i bëjnë presion Prishtinës për themelimin e tij.
Ish-shefi i diplomacisë serbe ka thënë se vetëm kur Prishtina të themelojë Asociacionin, atëherë mund të diskutohen të gjitha çështjet e tjera.
“Ata kanë një mënyrë për ta detyruar Prishtinën që t’i përmbahet asaj që është nënshkruar dhe ne duam të shohim rezultatin. Pas kësaj mund të diskutojmë të gjitha çështjet e tjera të hapura dhe ne jemi të gatshëm për këtë, pasi kemi qenë gjithmonë konstruktivë kur është fjala për dialogun”, ka thënë Daçiq.