image Cramon: Një rezultat i suksesshëm i dialogut mund të ndodhë kur Kosova të marrë liberalizimin e vizave

Kosovë

Cramon: Një rezultat i suksesshëm i dialogut mund të ndodhë kur Kosova të marrë liberalizimin e vizave

news image

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, ka thënë se shpreson që drita e gjelbër për liberalizim të vizave për Kosovën të ndodh brenda gjashtë muajve.

Ajo ka theksuar se e kupton nevojën e kosovarëve për liberalizim të vizave dhe pret të ndodhë brenda gjashtë muajve, në kohën e Presidencës gjermane në Bashkimin Evropian.

Cramon tha se liberalizimi do të varet nga një vendim i arsyeshëm i Këshillit Evropian dhe shteteve anëtare, “të cilat mund të jenë mjaft kritike, jo pse nuk e duan Kosovën, por për shkak të opinionit të tyre të brendshëm”.

Sipas saj, disa parti të krahut të djathtë në vendet sikurse Holanda ose Franca, po e shfrytëzojnë çështjen e liberalizimit të vizave për nevoja të tyre të brendshme.

Por, Von Cramon ka shfaqur shpresën që “presidenti francez Emmanuel Macron, në veçanti e kupton që një rezultat i suksesshëm i dialogut mund të ndodhë atëherë kur Kosova të marrë liberalizimin e vizave”.

“Për këtë shpresoj që në këtë tandem, pra të Presidencës gjermane me Këshillin Evropian dhe vullnetit politik të presidentit Macron, mund të arrihet që përfundimisht të rezultojë me dritë të gjelbër në gjashtë muajt e ardhshëm. Por, kjo është vetëm shpresë. Besoj që presioni nga ana gjermane mund të shtohet, por është e mundshme që do të na duhet të presim ende. Shpresoj që kjo nuk do të jetë shumë gjatë”, tha Viola von Cramon.

Sipas saj, liberalizimi i vizave për Kosovën nuk varet më nga kriteret teknike, të cilat sipas saj, Kosova i ka përmbushur të gjitha.

Për këtë temë, ajo thotë se ka biseduar edhe me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, javën e kaluar në Bruksel, i cili ka propozuar formimin e një grupi punues ndërmjet Kosovës dhe Francës. Sipas saj, kjo është ide e mirë, për shkak se nëse ekzistojnë arsye objektive dhe argumente, gjatë kohës kur Qeveria franceze ende është e ngurruese lidhur me liberalizimin e vizave për Kosovën, atëherë ky grup punues do të jetë një instrument i mirë që të bisedohet rreth kësaj çështjeje.

Ajo gjithashtu tha se nga bisedat me kolegët në Bruksel, nuk ka arritur të kuptojë pse vendet anëtare ende nuk kanë vendosur rreth liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Le të themi, e tillë është atmosfera politike ose keqpërdorimi që e bëjnë partitë të krahut të djathtë në vendet e tyre”.

Viola Von Cramon e vlerëson si mjaft të rëndësishëm faktin që Kosova dhe Serbia e kanë vazhduar dialogun.

“Ju keni një gjeneratë të re dhe dinamike, njerëz të arsimuar mirë që flasin disa gjuhë. Ata janë evropianë dhe i takojnë Bashkimit Evropian. Për këtë arsye duhet të gjendet një mënyrë për njohje të ndërsjellë, për marrëveshjen me Serbinë. Pa këtë, as për Kosovën e as për Serbinë nuk do të ketë vend në BE”, tha Von Cramon për REL.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, më 17 korrik ka vizituar Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorisë së Specializuar në Hagë, e cila u kritikua nga PDK-ja.

Teksa Cramon u arsyetua se vizita e saj në Hagë ishte e planifikuar më herët, por që për shkak të pandemisë së koronavirusit, ishte shtyrë.

Ajo shtoi që gjykata është në Hagë për arsye të mira dhe, siç tha ajo, “të gjithë e dinë se pse është kështu”. Por, sipas saj, ajo mbetet pjesë e legjislacionit të Kosovës./ Gazeta Sinjali/