Antonio Conte është emëruar trajneri i ri i Tottenhamit, skuadër kjo më të cilën ka nënshkruar një kontratë deri në vitin 2023.
Ish-trajneri i Interit ka folur sot për aventurën e tij të re në Angli pas përvojës që kishte me Chelsean në këtë kampionat.
Ai ka premtuar futboll të mirë dhe tërheqës me synimin për ta krijuar një skuadër të qëndrueshme.
“Të jesh trajner i Tottenhamit është një kënaqësi e madhe, një nder i madh”, tha Conte për faqen zyrtare të klubit.
“Tani dua ta shpërblej këtë besim. Filozofia ime e stërvitjes është shumë e thjeshtë, të luaj futboll të mirë dhe futboll tërheqës për tifozët tanë, me pasion, të kemi një ekip të qëndrueshëm, jo me ulje dhe ngritje.”
Conte ka shtuar se do të punojë shumë për ta bërë një skuadër që do t’iu jap kënaqësi tifozëve, derisa ka shtuar se është pritur shumë mirë nga drejtuesit e klubit.
“Tifozët meritojnë të kenë një ekip konkurrues me vullnet për të luftuar. Unë do të bëj gjithçka për ta merituar mbështetjen e tyre. Tottenhami është një klub i rëndësishëm në Angli dhe në mbarë botën. Stadiumi dhe terreni stërvitor këtu janë të mrekullueshëm.
“Klubi dhe presidenti Daniel Levy më donin shumë. Ky është një mundësi e mirë për mua dhe një ndër për ta drejtuar këtë skuadër”, tha në fund Conte. /Gazeta Sinjali Sporti/