image Çitaku: Sovraniteti pa aleanca ka pak dobi

Çitaku: Sovraniteti pa aleanca ka pak dobi

news image

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka kritikuar kryeministrin e vendit, Albin Kurti, lidhur me shkallëzimin e vendimit për targa pa miratimin e aleatëve ndërkombëtarë, raporton Gazeta Sinjali.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Çitaku ka thënë se Kosova ka arritur që të zhvillohet me ndihmën e aleatëve dhe miqësive që ka krijuar ndër vite.

Sipas saj, pa ndihmën e tyre, as përpjekjet dhe sakrificat në luftën të cilën kaloi Kosova, nuk do të kishin të njëjtin rezultat.

Ish-ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka shtuar se aleancave me ndërkombëtarët duhet t’u kushtohet rëndësi e madhe.

“Sovraniteti pa aleanca ka pak dobi. Shembuj si nga historia e edhe nga e sotmja kemi me bollëk. Do të ishte mirë të nxjerrim mësim e të jemi më të vëmendshëm ndaj aleancave tona të çmuara”, ka shkruar Çitaku në Facebook.

Postimi i plotë:

Liria dhe pavarësia jonë nuk janë vetëm produkte të luftës sonë dhe të drejtës historike.

Sigurisht, pa përpjekje, pa luftë, dhe pa sakrificë as perëndimi nuk do të lëvizte për të na ardhur në ndihmë. Megjithatë, ka shumë popuj nëpër botë që luftojnë e sakrifikojnë, por nuk arrijnë t’i realizojnë aspiratat e tyre.

Ne kemi fituar edhe sepse kemi krijuar miqësi. Edhe sepse kemi pasur aleatë.

Gjithmonë përgjatë historisë, e edhe sot, një mësim ka mbetur i vlefshëm, aleancat janë po aq të rëndësishme sa sovraniteti dhe e drejta.

Sovraniteti pa aleanca ka pak dobi. Shembuj si nga historia e edhe nga e sotmja kemi me bollëk.

Do të ishte mirë të nxjerrim mësim e të jemi më të vëmendshëm ndaj aleancave tona të çmuara.

/GazetaSinjali/