image Çitaku: Mini-Shengeni u projektua nga eksponentë demokratë në ShBA

Politikë

Çitaku: Mini-Shengeni u projektua nga eksponentë demokratë në ShBA

news image

Ish-ambasadorja e Kosovës në ShBA, Vlora Çitaku, ka thënë se projekti i Mini-Shengenit Ballkanik, që u kundërshtua ashpër në Kosovë, nuk është projekt i Richard Grenellit, por i disa eksponentëve të Partisë Demokratike në ShBA.

“E para dhe më e rëndësishmja është që ka një vazhdimësi në politikën e jashtme të SHBA-së karshi Kosovës, Serbisë dhe dialogut.”

“Projekti i Mini-Shengenit, i cili është refuzuar fillimisht në mënyrë kategorike nga të gjithë në Kosovë dhe nga ish-presidenti Hashim Thaçi dhe ish-kryeministrat, është hartuar, dizajnuar dhe projektuar nga eksponentë të Partisë Demokratike të cilët sot kanë pozicione të rëndësishme në Administratën Biden.”

“Nuk ka qenë projekt i Richard Grenellit – këtë e them me kompetencë të plotë. Nuk ka kundërshti të thellë nëse e sheh fotografinë më gjerë. Të dyja palët, demokratët dhe republikanët, kanë menduar që mënyra më e mirë për ta zhbllokuar dialogun do të ishte që të flitet më shumë për bashkëpunimin ekonomik”.

Ajo deklaroi se nuk duhet harruar fakti që Washingtoni, Berlini, Parisi, Londra e Brukseli kanë këndvështrim rajonal dhe nuk prodhojnë projekte dhe politika ekskluzivisht për Kosovën.

Kur foli për Marrëveshjen e Washingtonit, Çitaku tha se është gabim i rëndë politik kundërshtimi dhe moszbatimi i saj.

“Është e natyrshme që kryeministri Kurti i cili e ka kundërshtuar zëshëm atë marrëveshje, sot ndjehet në një pozicion jokomod, por nëse ka dilemë të vërtetë, ato duhet t’i ngrisë në mënyrë diskrete me ambasadorin amerikan ose ka mundur të flasë me Matthew Palmer nga Departamenti i Shtetit që ishte në Kosovë. Kosova ka dhënë zotim dhe ne nuk mund të ikim dhe t’i shmangim”, tha ajo në KlanKosova.

Çitaku tha se Qeveria Kurti bën mirë që të mos merret me çështjen e legjitimitetit të qeverisë së kaluar, arsyeja që ata e përmendin për kundërshtimin e marrëveshjes së nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, duke thënë se kështu futen në lojëra shumë të rrezikshme.

“Ata duhet të merren me substancën. Unë e pyes qeverinë ‘A është marrëveshja e dëmshme për Kosovën?’. Nëse për ta është e dëmshme le të shkojnë përmes kanaleve diskrete, jo përmes deklaratave. Unë mendoj se nuk është aspak e dëmshme”.

Ish-ambasadorja e Kosovës në SHBA ka rekomanduar Qeverinë Kurti që të mos hyjnë në aventura politike me partnerët strategjikë të Kosovës.

“Partnerët ndërkombëtarë nuk mund të trajtohen si lojtarë të brendshëm politikë. Washingtoni nuk është parti opozitare në Kosovë. As Brukseli. As NATO. Ata duhet t’i trajtojmë si partnerë strategjikë të Kosovës.”/Gazeta Sinjali/