Çiklistët janë të shqetësuar për nivelin e lartë të ndotjes së ajrit në Prishtinë, që vjen edhe si rrjedhojë e dominimit të mjeteve motorike në rrugët e kryeqytetit.
Përveç kushteve minimale të infrastrukturës dhe sigurisë së dobët për komunitetin e çiklistëve, çiklistët tani përballen edhe me ajër të pashëndetshëm pasi në kushte të tilla të cilësisë së dobët të ajrit nuk rekomandohet të çiklohet.
Me këtë rast, shqetësimin e tyre, çiklistët sot do ta shprehin me një marsh.
Organizatorët thonë se marshi ka për qëllim vetëdijesimin e shoqërisë drejt përdorimit të transportit të qëndrueshëm dhe miqësor me mjedisin pra të biçikletës.
Çiklistët do të nisen në ora 12:00 nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës në hyrje të Prishtinës ndërsa marshi i tyre përfundon te parku i Gërmisë./Gazeta Sinjali/