Humbja e mbrëmshme në Plzen të Çekisë ia ka humbur gjasat edhe matematikore Kosovës për t’u kualifikuar në Kampionatin Evropian ‘Euro 2020’, përmes fazës kualifikuese grupore.
Trajneri Berand Challandes, pas ndeshjes, në nkonferencë ka zbuluar se çfarë u ka thënë lojtarëve pasi ata lanë fushën të dëshpëruar, kush i nevrikosur e kush me lotë në sy, shkruan Gazeta Sinjali.
Challandes tha se i ka uruar lojtarët për fushatën kualifikuese, mirëpo duhet të dëshpërohen për lojën e zhvilluar.
“Ndoshta do të befasojë, por i kam uruar lojtarët për fushatën kualifikuese, mirëpo jo për ndeshjen e sotme… U kam thënë se mund të jemi të zhgënjyer dhe duhet të jemi të zhgënjyer, jo me rezultatin, mirëpo me lojën e zhvilluar”, theksoi Challandes.
Fitorja me rezultatin 2:1, ia ka siguruar Çekisë biletën për ‘Euro 2020’, pasi tashmë ata kanë mbledhur 15 pikë, 4 më shumë sesa Kosova, me një ndeshje të mbetur. Ndërkohë që fituese e grupit është Anglia, e cila prinë me 18 pikë të grumbulluara.
Kosova do ta luajë ndeshjen e radhës të dielen kundër Anglisë në “Fadil Vokrri” në Prishtinë, me fillim nga ora 18:00. /Gazeta Sinjali/