Trajneri i Kosovës Bernard Challandes e ka cilësuar humbjen nga Guinea me rezultat 2-1 si një humbje nga një rival cilësor si dhe nga një ekip që, sipas tij, është ndër ekipet më të mira të Afrikës, përcjell Sinjali Sport.
“Ishte një ndeshje e vështirë sepse përballë kishim një kundërshtarë të fortë, në mesin e ekipeve të forta të Afrikës. Kemi bërë punë të mirë si ekip, si kolektiv.”, tha fillimisht Challandes.
Më tutje ai e vlerësoi lartë përkushtimin e ekipit në këtë ndeshje për të cilën tha se lojtarët luajtën mirë por se për të gjetur rrugën e fitores nevojitej të kishin më shumë posedimin e topit. “Të gjithë kanë vrapuar dhe kanë dhënë më të mirën nga vetja. E kemi parë nivelin dhe nuk ishte lehtë për lojtarët tanë të kishin posedimin e topit apo të kishin raste të mira shënimi.
Në përgjithësi, ekipi luajti ndeshje të mirë. Por për fitore është një çështje tjetër, pasi duhet të mbajmë më shumë topin. Në këtë ndeshje, mund të them se ishte paraqitje e mirë e të gjithë lojtarëve. Mendoj se ata e kanë parë nivelin ndërkombëtar, intensitetin e lojës.
Ishte një rast i mirë për të gjithë dhe për mua që t’i shoh disa lojtarë nga afër. E pranoj humbjen, sepse ishte miqësore. Por, mendoj se lojtarët kanë marrë një përvojë shumë të mirë dhe është një sinjal i mirë për të ardhmen.”, u shpreh zvicerani. /Gazeta Sinjali Sporti/