Ikballe Berisha – Huduti e cila ishte arrestuar gjatë ditës së sotme nga Policia e Kosovës nën dyshimet për “Shtytje të kryerjes së veprave terroriste” i është caktuar masa prej 48 orëve paraburgim, raporton Gazeta Sinjali.
Burime të Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë Speciale kanë bërë të ditur se shtëpia e Ikballe Berisha – Huditit është bastisur gjatë ditës së sotme.
Aty janë konfiskuar disa pajisje elektronike dhe dëshmi të tjera relevante të cilat janë vlerësuar se mund të dëshmojnë veprën penale të dyshuarës.
Ajo është arrestuar gjatë ditës së sotme nga Policia e Kosovës me urdhër të Prokurorisë Speciale, pasi që ditë më parë përmes shkrimeve në llogarinë e saj Facebook kishte bërë thirrje për reagim ndaj vrasjes së gjeneralit iranian Qasem Soleimanit.
Gazeta Sinjali kishte raportuar të shtunën se Berisha – Huduti, kishte bërë thirrje që të reagohet pas vrasjes së gjeneralit iranian që ajo e quante “vëlla”. Ajo në shkrimet e saj e kishte quajtur Amerikën “terroriste.
Lajmi për arrestimin e saj është konfirmuar gjatë ditës së sotme edhe nga zëdhënësi i Prokurorisë Speciale, Ekrem Lutfiu.
“Me urdhër të Prokurorisë Speciale, është arrestuar personi me inicialet I.H., për vepren penale ‘Shtytje për kryerjen e veprave terroriste” nga neni 135. Prokuroria Speciale do të bëjë kërkesë në Gjykatë për shqiptimin e masës që garanton prezencën e saj në procedurë”, tha Lutfiu për Gazetën Sinjali.
Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, për veprën penale “Shtytja për kryerjen e veprave terroriste”, parashihet ky dënim.
“Kushdo që shpërndan, ose në ndonjë mënyrë tjetër mundëson mesazhin për publikun, me qëllim që të shtytë kryerjen e aktit terrorist, kur sjellja e tillë pavarësisht nëse avokon drejtpërdrejtë ose jo aktet terroriste, shkakton rrezikun që një ose më shumë vepra të tilla të kryhen, dënohet me burgim prej një(1) deri në pesë (5) vjet”./Gazeta Sinjali/