Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbështetur pesë rekomandimet e Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve për rinumërimin e plotë të 530 kutive të votimit.
Arsye për këtë vendim janë një numër i parregullësive të natyrave të ndryshme të evidentuara nga QNR, njofton Gazeta Sinjali
Koordinatori i Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve, Burim Ahmetaj njoftoi KQZ-në se nga ky numër i vendvotimeve, 149 prej tyre kanë të bëjnë me parregullësi të natyrës së shënimit jo të saktë të votave për disa subjekte politike.
Rekomandimi i dytë përfshinë 24 vendvotime ku janë vërejtur probleme teknike në formularët e rezultateve ku në disa raste nuk përputhen fletëvotimet ndërsa shumë prej fletëvotimeve nuk janë shënuar në rezultetet e formularëve.
Rekomandimi i tretë për rinumërim i QNR-së ka të bëjë me 81 vendvotime ku janë vërejtur se subjekti politik nuk ka vota por jo edhe kandidati.
Rekomandimi i katërt ka të bëjë me rinumërimin e votave në 89 venvotime ku janë hasur parregullësi të llojit ku një kandidat ka më shumë vota sesa subjekti që i takon ndërsa rekomandimi i pestë ka të bëjë me 189 votime ku të gjithë kandidatët brenda një subjekti kanë më shumë vota sesa vetë subjekti, shkruan Gazeta Sinjali.
Pesë rekomandimet e lexuara nga koordinatori i Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve, Burim Ahmetaj janë mbështetur nga shumica e anëtarëve të KQZ-së.
Paraprakisht, Adnan Rrustemi nga VV e quajti fenomen rinumërimin duke shtuar se kjo po përsëritet tashmë në çdo palë zgjedhje.
“Është shqetësuese përqindja e lartë e rinumërimit. KQZ po dështon në trajnimin e komisionarëve”, tha ai.
Tutje ai shtoi se të gjitha rastet e vendvotimeve ku ka parregullsi do të dërgohen në prokurori.Ai kërkoi që numërimi të jetë më i shpejtë.
“Do t’i dërgojmë në Prokurori të gjitha vendvotimet që shkojnë në rinumërim. Unë kërkoj nga sekretariati që t’i shtoj kapacitet që rinumërimi të shtoj dinamikën, rinumërimi është i ngadalshëm”, shtoi ai.
Sami Hamiti një tjetër, anëtar i KQZ-së tha se nëse del se ka mospërputhje, të gjitha vendvotimet do të procedohen në prokurori.
“Nëse del se ka mospërputhje, të gjitha vendvotimet do të shkojnë ne prokurori. Unë e mbështes propozimin e QNR që të shkohet në rinumërim të plotë të atyre vendvotimeve”, tha ai./Gazeta Sinjali/