Shifra ditore e rasteve të koronavirusit në Republikën Çeke të dielën ishte 260, më e larta që nga 8 prilli. Ministria e Shëndetësisë tha se kjo rritje erdhi si rezultat i shtimit të rasteve në rajonin lindor.
Shifra e së dielës është gati për tri herë më e madhe se 93 rastet e regjistruara të enjten. Në përgjithësi, shteti me 10.7 milionë banorë i ka regjistruar 11,298 raste të koronavirusit dhe 347 viktima.
Gati gjysma e rasteve të reja ose 122 tyre u regjistruan në rajonin Karvina, që shtrihet në lindje të vendit. Nga vatra e përhapjes në atë pjesë më së shumti e kanë pësuar minatorët, bëri të ditur ministri i Shëndetësisë, Adam Vojtech, shkruan “Reuters”.
“Jemi duke kryer testime masive në rajonin më të prekur, Karvina, më së shumti ka të bëjë me kompaninë (e minierave) OKD”, deklaroi ministri Vojtech gjatë një debati televiziv.
Përderisa masat kufizuese në pjesën më të madhe të vendit janë larguar në javët e fundit, rajoni Karvina do të ketë shtrëngim të masave, përfshirë uljen e numrit maksimal të lejuar të njerëzve në tubime në 100, bëri të ditur ministri i Shëndetësisë.
Të hënën e kaluar, qeveria mori vendim që të lejohen tubimet me më së shumti 1,000 persona. Për më tepër, u larguan të gjitha kufizimet për pishinat, muzetë, kopshtet zoologjike dhe panairet tregtare./GazetaSinjali/