image Çekia dhe Sllovakia zotohen për dërgimin e armëve shtesë për Ukrainën

Botë

Çekia dhe Sllovakia zotohen për dërgimin e armëve shtesë për Ukrainën

news image

Republika Çeke do të dërgojë ndihmë shtesë ushtarake për Ukrainën, tha të dielën ministrja e Mbrojtjes, ndërkaq shteti fqinj, Sllovakia tha se po e shqyrton mundësinë e dërgimit të sistemeve të mbrojtjes ajrore në Kiev.

Ministrja e Mbrojtjes së Çekisë, Jana Cernochova, tha se shteti i saj, që është në NATO, veçse ka dërguar ndihmë ushtarake në vlerë prej 31.55 milionë dollarësh.

“Mendoj se, të paktën, do ta dyfishojmë këtë shifër”, tha ajo, duke mos dhënë detaje të tjera për dërgesat pasi u thirr në shqetësime të sigurisë.

Muajin e kaluar Çekia ka dërguar në Ukrainë mitraloza, pushkë, municion dhe disa armë të tjera të paspecifikuara.

Ndërkaq, në Sllovaki, anëtar i NATO-s, më 16 mars do të qëndrojë Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin.

Kryeministri i Sllovakisë, Eduard Heger, tha të dielën se gjatë kësaj vizite me gjasë do të diskutojnë për mundësinë e dërgimit në Ukrainë të sistemeve të mbrojtjes raketore S-300, që Sllovakia i ka në pronësi. Këto sisteme janë të prodhuara në kohën sovjetike.

“Mendoj se kjo temë [dërgimi i sistemeve S-300 në Ukrainë] do të diskutohet. Por, duhet ta kuptoni se siguria e territorit është qenësore dhe ju thjesht nuk mund t’i dërgoni pajisje dikujt tjetër, nëse nuk keni pajisje për të mbrojtur veten”, tha ai, raporton REl.

“Kjo është për të mbështetur dhe forcuar Ukrainën, edhe në aspektin moral… Dhe në të njëjtën kohë për t’i ofruar ndihmë shtesë, nëse është e mundur”, shtoi ai.

/GazetaSinjali/