Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj, ka njoftuar se është marrë vendim që të themelohet nisma tripalëshe mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë.
Ky vendim është marrë pas bisedave të ministrit Cakaj me homologun nga Kosova, Glauk Konjufca dhe me atë nga Kroacia, Goran Grlic-Radman.
Siç njofton Cakaj, synimi i kësaj nisme është “mbajtja e mbledhjeve të rregullta në nivel të ministrave të jashtëm për të krijuar platforma të përbashkëta politike dhe zhvilluar projekte konkrete sipas interesave të përbashkëta”.
Tutje Cakaj tha se kjo nismë do t’i shërbejë thellimit të marrëdhënieve mes këtyre tri shteteve fqinje, por edhe zbatimit të objektivave të përbashkëta strategjike veçanërisht në fushën e politikës së jashtme./GazetaSinjali/