image Cakaj: Kosova - shembull i solidaritetit, mirënjohje e veçantë për FSK-në

Tërmeti/ Cakaj: Kosova – shembull i solidaritetit, mirënjohje e veçantë për FSK-në

news image

Ministri i Jashtëm shqiptar, Gent Cakaj, mbështetjen dhe solidaritetin e Kosovës pas tërmetit në Durrës e ka vlerësuar si frymëzim.

Ai ka thënë se Kosova ka dhënë shembullin e një solidariteti të paparë njerëzor dhe të bashkëndjenjës kombëtare.

“Shërbimi i tyre këto ditë në Shqipëri do të kujtohet gjithmonë me vlerësimin më lartë! Në fakt, gjatë këtyre ditëve me vështirësi të shumta e me dhimbje të pafundme, e gjithë Kosova ka dhënë shembullin e një solidariteti të paparë njerëzor dhe ka dëshmuar absolutisht trajtën më të thellë të bashkëndjenjes kombëtare. Solidariteti e mbështetja e Kosovës kësaj rradhe mbeten frymëzues përtej asaj çka mund ta shprehë rëndom gjuha”, ka shkruar ndër të tjera ministri shqiptar.

Ai shprehu mirënjohje të veçantë edhe për punën e Forcave të Sigurisë së Kosovës në operacionet e kërkim-shpëtimit në zonën e Durrësit, ku ndodhi tërmeti i 26 nëntorit, profesionalizmin e së cilës e vlerësoi si mbresëlënës.

“Mes konsideratave më të larta e falenderimeve më të mëdha për të gjitha shtetet e organizatat që qëndruan afër Shqipërisë që prej orëve të para pas tërmetit, përtej çdo mëdyshje, Forca e Sigurisë së Kosovës meriton mirënjohjen më të veçantë për përkushtimin e pakrahasueshëm, humanizmin e lartë e atdhedashurinë më të thellë dhe profesionalizmin mbresëlënës”, ka thënë tutje Cakaj. /Gazeta Sinjali/