Gent Cakaj ka dorëzuar zyrtarisht të martën detyrën e ministrit për Evropë dhe Punë të Jashtme të Shqipërisë, në një ceremoni ku kryeministri Edi Rama ka thënë se ai udhëhoqi në kushte të një ngërçi.
Postin e ministres së Jashtme e ka marrë Olta Xhaçka.
Në fjalimin e tij para se Xhaçka të merrte zyrtarisht postin, Cakaj ka thënë se “e ka konsideruar të përmbushur misionin e tij”.
Në anën tjetër, kryeministri Rama në këtë ceremoni e ka quajtur ngërç absurd refuzimin që presidenti Ilir Meta i kishte bërë dekretimit të Cakajt.
“Faleminderit për përkushtimin në krye të kësaj detyre, duke qenë i detyruar të kryesh detyrën në mënyrë të penguar si rezultat i një ngërçi absurd të krijuar institucionalisht. Skam nevojë të zgjatem sepse dihet historia tanimë. Përtej kësaj në këtë periudhë detyrat jo të lehta dhe kohët jo të lehta që ka kaluar ky institucion janë përballur me profesionalizëm dhe sukses. Për mua ka qenë një barrë e shtuar dhe në kushte të tjera do të ishte krejt e panevojshme sepse Genti i ka pasur dhe i ka të gjitha kapacitetet për ta mbajtur këtë barrë plotësisht, por nga detyrimi i pashmangshëm për ta përfaqësuar Shqipërinë edhe formalisht në nivelin më të lartë të këtij institucioni në kryesimin e OSBE-së dhe për të mos lejuar për shkak të formalitetit mungesa e ministrit të jashtëm të kthehej në mundësi për të krijuar keqkuptime brenda familjes së OSBE e mora këtë angazhim”, ka thënë Rama.
“Dua ta falënderoj Gentin për gjithçka që bëri në këto dy vjet në këtë detyrë aspak të lehtë dhe përtej faktit që u godit në mënyrë sa absurde aq dhe të shëmtuar dhe për të qenë i paragjykuar ua doli ta mbajë me sukses barrë dhe të tregojë hap pas hapi të gjitha cilësitë e tij”, ka shtuar ai.
Cakaj kishte dhënë dorëheqje nga ushtruesi i detyrës së ministrit të Jashtëm në fund të vitit 2020. Parlamenti votoi të hënën pro shkarkimit të Ramës si ministër të Jashtëm.