Kryeministri Edi Rama shpjegoi buxhetin për bujqësinë dhe foli se përse qeveria e hoqi rimbursimin e 6%.
“Duke vendosur atë skemë të rimbursimit të 6%, ne kemi synuar që përmes shfrytëzimit të kapacitetit logjistik të grumbulluesve, të çojmë paratë tek fermeri, në raport me prodhimin e grumbulluar, dhe shifra, në fund fare, ka rezultuar një shifër modeste, por mbi të gjitha një shifër e kontrolluar nga një grusht grumbulluesish të mëdhenj, që jo domosdoshmërisht ka shkuar tek fermeri”, tha Rama.
Grumbulluesve të cilët dolën në protesta kryeministri u tha se ne, jo vetëm që nuk jemi kundër tyre, por përkundrazi, kemi bërë çmos që të rriten dhe të forcohet.
“Ama, në këndvështrimin tonë, ajo shumë që në fund fare ka rezultuar rreth 9 milionë dollarë të transferohet drejtpërdrejtë në buxhetin e bujqësisë dhe në vend që të shpenzohet përmes një sistemi jo transparent dhe të paqartë rimbursimi, ku siç thashë, pjesa dominante e këtyre parave kontrollohet nga grumbulluesit, të shkojë drejtpërdrejtë për produktivitetin, jo duke u marrë nga buxheti i shtetit për të tjera gjëra, por duke iu dhënë ministres, buxhetin”, tha Rama.
Vlera e eksporteve, theksoi kryeministri ka kapur 400milionë euro por synimi është të shkojmë në 1miliardë të kombinuara mes bujqësisë dhe peshkimit.