image Bugajski: Beogradi po e përdor çështjen e Asociacionit për ta penguar dialogun

Politikë

Bugajski: Beogradi po e përdor çështjen e Asociacionit për ta penguar dialogun

news image

Analistë të huaj dhe vendorë vlerësojnë se Beogradi po e përdor çështjen e Asociacionit të Komunave Serbe për ta penguar dialogun e për ta parandaluar ndonjë zgjidhje përfundimtare.

Njohësi amerikan për çështjet e Ballkanit, Janusz Bugajski, ka thënë se qeveria kosovare nuk duhet të pranojë marrëveshje që destabilizojnë vendin.

 “Mendoj se Asociacioni i Komunave Serbe ishte ide e keqe që nga fillimi. Mendoj se Qeveria e Kosovës është detyruar të nënshkruajë diçka për të cilën nuk ka ditur se cilat mund të jenë pasojat dhe është përgjegjësi e qeverisë aktuale që të parandalojë zbatimin e çfarëdolloj marrëveshje që do ta destabilizonte vendin dhe do të destabilizonte edhe rajonin”, thotë Bugajski.

“Nëse bashkësia ndërkombëtare duhet të kishte mësuar diçka është se nuk e duam edhe një Republikë Serbe në Ballkan, sepse kjo bëhet pastaj një burim konflikti, diskutimi dhe ndërhyrje ndërkombëtare nga Rusia”, ka thënë ai në televizionin publik të Kosovës.

Bugajski vlerëson se Kosova duhet të vazhdojë të marrë pjesë në takime në secilin nivel për të demonstruar vullnetin e saj për marrëveshje.

Por temat që duhet të diskutohen, sipas Bugajskit, duhet të jenë brenda kontekstit të arritjes së njohjes reciproke./Gazeta Sinjali/