Armando Broja ka marrë vëmendjen e gjithë Premier League-s.
Ylli shqiptar po kërkohet nga gjiganti anglez, Arsenal, ku trajneri i “topçinjve” Mikel Arteta e vlerëson 20-vjeçarin dhe po mendon që të bëjë një ofertë te Chelsea për të marrë një nga talentet e këtij sezoni në Premier Ligë.
Deri më tani, Broja ka bërë një paraqitje mjaft të mirë te Southampton ku është i huazuar, ndërsa ka shënuar 7 gola në 24 takime.
Paraqitjet e tij janë përmirësuar nga ndeshja në ndeshje dhe tek Arsenali besojnë se sulmuesi kuqezi do të sjellë golat e munguar në ekip.
Arteta ka nevojë për një bomber dhe 20-vjeçari është një ndër alternativat e para.
Nga ana tjetër, edhe Southemptoni do të tentojë që të bëjë gjithçka që ta blejë përfundimisht shqiptarin. Broja ka fituar zemrat e tifozëve të “Shenjtorëve” dhe drejtuesit po përgatisin një ofertë për “blutë” e Londrës.
Por kampionët e botës për klube gjithashtu e kanë parë potencialin e jashtëzakonshëm të Brojës, e do të jetë e vështirë që të vendosin ta lënë atë të lirë. /Gazeta Sinjali Sporti/