Tottenhami e priti Southamptonin në shtëpi në kuadër të xhiros së 24-të në elitën e futbollit anglez, raporton Sinjali Sport.
Spurs ishin nikoqir të Southamptonit në “Tottenham Stadium”, duel që u përmbyll me spektakël.
Mysafirët befasuan londinezët në këtë takim duke fituar me rezultat 2-3.
Vendasit e nisën më mirë, duke zhbllokuar shifrat me autogolin e Jan Bednarek.
Mirëpo nuk vonoi shumë dhe Armando Broja pas pesë minutave barazoi rezultatin.
Spurs sërish kaluan në epërsi, kësaj radhe me Heung-Min Son.
Megjithatë kjo ishte e tëra, pasi Southamptoni përmbysi gjithçka me golat e Elyounoussit dhe Adams.
Kjo ishte humbja e dytë rresht për Conten në Premierligë, pas asaj nga Chelsea, xhiron e kaluar.
Tottenhami ka 36 pikë të grumbulluara deri tash në pozitën e shtatë, mirëpo kanë katër ndeshje më pak se West Hami e Chelsea që janë në pozitat 4 dhe 3.
Në anën tjetër skuadra ku luan Armando Broja ka 28 pikë në vendin e 10-të.
Reprezentuesi shqiptar është titullar i padiskutueshëm te skuadra e re, duke luajtur 90 minuta /Gazeta Sinjali Sporti/