Britania e Madhe tashmë e ka numrin më të madh të të vdekurve në Evropë nga koronavirusi pasi të dhënat e reja tregojnë se në këtë shtet janë shënuar mbi 32 mijë viktima të sëmundjes së re.
Zyra Kombëtare e Statistikave ka njoftuar se 29,648 të vdekur janë shënuar deri më 27 prill në Angli dhe Uells, ku viktimave u figuron sëmundja Covid-19 në certifikatat e vdekjes.
Sipas llogaritjeve të bëra nga agjencia “Reuters”, vdekjet e regjistruara në Skoci dhe Irlandë Veriore e çojnë në 32,313 numrin e përgjithshëm të viktimave në Mbretërinë e Bashkuar.
Kjo shifër është shumë përtej 29,029 të vdekurve të shënuar në Itali, shtet që deri më tani ishte i pari në Evropë për shifrën e zezë, shkruan “The Guardian”.
Italia shpejt ishte bërë epiqendër e përhapjes së koronavirusit në Evropë, ku vdekjet e para i kishte regjistruar në fund të shkurtit. Italia ishte shteti i parë evropian që ishte vendosur në izolim për shkak të rrezikut të përhapjes.
Ndër arsyet e përmendura për numrin e madh të rasteve në Itali janë përmendur popullsia e moshuar, kultura e kontakteve të ngushta sociale, popullsia e dendur në qytete dhe reagimi i ngadalshëm i organeve shëndetësore në fazën e parë të përhapjes./ Gazeta Sinjali/