Kohëve të fundit në Kosovë, përveç numrit të shtuar të rasteve të vjedhjeve, thuajse çdo ditë raportohen edhe raste të falsifikimit të parasë, të cilat gjithnjë kryhen në shuma prej 50 euro e më lart, shkruan Gazeta Sinjali.
Vetëm në 24 orët e fundit janë raportuar disa të monedhave të falsifikuara.
Një rast ka ndodhur në Prizren, ku një punëtore e BKT bankës është ankuar në polici se një person ka deponuar një kartëmonedhë prej 50 euro, e cila dyshohet të jetë e falsifikuar.
Rasti i dytë ka ndodhur në fshatin Magurë të Lipjanit, ku punëtori i një marketi në këtë fshat ka njoftuar se ka pranuar një kartëmonedhë prej 100 eurove e cili sipas tij mund të jetë e falsifikuar.
Burime të Gazetës Sinjali brenda policisë në Lipjan kanë bërë të ditur se këto para janë konfiskuar nga forenzika.
Ndërsa rasti tjetër ka ndodhur në Pejë, ku një vozitës në Radio Taxi është ankuar në polici se kishte pranuar një kartëmonedhë prej 20 euro, e cila dyshohet të jetë falso.