image Bordi i ndërmarrjes publike “zaptohet” nga figurat e larta të PDK-së në Pejë

Kosovë

Nepotizëm/ Bordi i ndërmarrjes publike “zaptohet” nga figurat e larta të PDK-së në Pejë

news image

Dy anëtarë të kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Pejë dhe një tjetër person i afërt me këtë parti, janë duke udhëhequr aktualisht Kompaninë Rajonale të Mbeturinave “Ambienti” në Pejë, raporton Gazeta Sinjali.

Bëhet fjalë për Arton Muhaxherin, Idriz Balaj dhe Fisnik Ademaj. Muhaxheri që mban postin e anëtarit të Këshillit Drejtues dhe anëtarit të Kryesisë së PDK-së në Pejë, aktualisht është kryetar i bordit të “Ambientit”.

Muhaxheri, përveç postit që mban në PDK, njihet si person i afërt me Xhavit Halitin, kryetarin e Degës së PDK-së në Pejë. Po ashtu, Muhaxheri është i afërt edhe me numrin dy të PDK-së në Pejë, Astrit Ademaj.

Arton Muhaxheri, Xhavit Haliti dhe Astrit Ademaj

Anëtari tjetër i bordit në Kompaninë Rajonale të Mbeturinave “Ambienti”, Idriz Balaj, mban postin e anëtarit të Këshillit të PDK-së në Pejë.

Po ashtu, pjesë e anëtarit të bordit të kësaj ndërmarrje është edhe Fisnik Ademaj, i cili është familjar i Astrit Ademaj, ky i fundit anëtar i Këshillit Drejtues të PDK-së ose numri dy i kësaj partie në Pejë.

Në një bisedë telefonike, Arton Muhaxheri, nuk ka pranuar të flas për punësimet partiake në ndërmarrjen publike “Ambienti”, ai ka kërkuar që për këtë çështje t’i drejtohemi me e-mail.

“Kisha dashtë që përgjigjet me t’i jap me e-mail, nëse ka mundësi me i dërgu me e-mail”, ka thënë Muhaxheri.

Por, kolegu i tij si dhe bashkëpartiaku, Idriz Balaj, gjatë një bisede telefonike ka konfirmuar për Gazetën Sinjali, se Arton Muhaxheri është kryetar i bordit të kësaj ndërmarrje.

“Në pozicionin e kryetarit të Bordit drejtues të ndërmarrjes ‘Ambienti’ është Arton Muhaxheri apo jo? Po ai është”, ka thënë Balaj për Gazetën Sinjali.

Fisnik Ademaj që është anëtar i bordit të ndërmarrjes “Ambienti”, ka lidhje familjare me sekretarin e Universitetit “Haxhi Zeka”, Astrit Ademaj. Arton Muhaxheri dhe Astrit Ademi janë miq të afërt, si dhe anëtarë të PDK-së, në Pejë.

Kohë më parë, Gazeta Sinjali ka raportuar për ‘shpërblimet’ me tenderë nga sekretari, Astrit Ademaj, për gruan e Arton Muhaxherit në Universitetin e Pejës.

I kontaktuar nga Gazeta Sinjali, Fisnik Ademaj, nuk ka pranuar të flas përmes telefonit, ai ka thënë që pyetje t’i drejtohen përmes e-mailit, raporton Gazeta Sinjali.

“Po, megjithëse nuk po e di çka është problemi, s’po di çka është në pyetje. A mundesh me ma dërgu pyetjen në e-mail”, ka thënë ai.

Kur është pyetur për e-mailin e tij, ai ka refuzuar ta tregojë.

“Qysh e ke gjetë numrin gjeje edhe imellën edhe dërgomi pyetjet. Nuk po e di tash unë se tash veç numër po shoh, se di kush je a tek je a. E keni në ueb faqe të komunës zyrtare mundesh me e gjetë, asgjë të fshehtë nuk ka”, ka thënë Ademaj.

Anëtar i Këshillit Drejtues të PDK-së në Pejë, Idriz Balaj, është gjithashtu anëtar i bordit të ndërmarrjes “Ambient”. Sipas burimeve të Gazetës Sinjali, Balaj u emërua në këtë pozicion me rekomandim të Kryetarit të Degës së PDK-së në Pejë, Xhavit Haliti.

Idriz Balaj nuk ka hezituar që të tregojë se a është pjesë e bordit të ndërmarrjes “Ambienti” dhe anëtar i Këshillit Drejtues të PDK-së në Pejë.

“Po jam anëtari i bordit të ndërmarrjes ‘Ambienti’. Po jam anëtar i këshillit drejtues në Pejë”, ka thënë Idriz Balaj për Gazetën Sinjali.

Kujtojmë që Gazeta Sinjali pati raportuar për punësimet partiake të PDK-së në Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë, si dhe tenderët e dhënë nga po ky universitet për bashkëpartiakët dhe personat e afërt me Partinë Demokratike të Kosovës.

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, gjatë fushatës së zgjedhjeve të 6 tetorit, si program qeverisës e ka proklamuar luftimin e korrupsionit dhe nepotizmit. /Gazeta Sinjali/