image Universiteti i Pejës “Haxhi Zeka” çerdhe punësimi për zyrtarët e PDK-së

Ekskluzive

Punësime partiake/ Universiteti i Pejës “Haxhi Zeka” çerdhe punësimi për zyrtarët e PDK-së

news image

Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë rezulton të jetë çerdhe e punësimit për anëtarët e PDK-së, përkatësisht personave të afërt me drejtuesit dhe zyrtarët e lartë të kësaj partie.

Numër i madh i anëtarët të Këshillit Drejtues të PDK-së në Pejë janë ‘rehatuar’ në pozita të ndryshme në Universitetin “Haxhi Zeka”, shkruan Gazeta Sinjali.

Sekretari i Universitetit “Haxhi Zeka”, Astrit Ademaj është anëtar i kryesisë së PDK-së në Pejë, në nëndegën “ 7 shtatori”, i cili është shumë i afërt me Xhavit Halitin dhe është parë në ndeja private dhe shëtitje me Halitin.

Astrit Ademaj
Astrit Ademaj dhe Xhavit Haliti

Ndërkohë, Liridon Cukaj i cili është Sekretar në Fakultetin e Biznesit në Universitetin “Haxhi Zeka”, në një bisedë telefonike për Gazetën Sinjali, e ka pranuar se është anëtar i Kryesisë së PDK-së.

“Anëtar i kryesisë së PDK-së në Pejë, këto janë publike, janë publiku para dy-tre muajsh, dihet çfarë pozicioni mbajë edhe krejt” ka thënë Liridon Cukaj.

Sipas burimeve të Gazetës Sinjali edhe Agron Haliti i punësuar pas ardhjes së ‘sekretarit Astrit Ademajt’ në Universitet, ishte ndër të parët që u punësua në administratën e udhëhequr nga sekretari i përgjithshëm Ademaj. Ai vjen nga fshati i njëjtë me kryetarin e degës Xhavit Haliti dhe sipas dokumenteve të siguruara nga Gazeta Sinjali rezultojnë se Haliti është pjesë e Këshillit Drejtues të PDK-së në Pejë.

Astrit Ademaj, Xhavit Haliti dhe Muhamet Jupa

Në një bisedë telefonike e ka mohuar se është anëtar i Këshillit por ka pranuar që është vetëm me PDK-në.

“S’jom anëtar, veç jam PDK, e drejt e imja edhe jam PDK”, ka thënë Agron Haliti.

Zyrtarja e Administratës së Fakultetit të Agrobiznesit në Universitetin e Pejës, Abetare Pelaj e ka mohuar kategorikisht se është pjesë e PDK-së në Pejë ndonëse sipas dokumenteve të siguruara nga Gazeta Sinjali, ajo është pjesë e këtij këshilli në nëndegën e Novosellës.

“Jo, jo, gabim jeni, jo, jo, jo”, ka thënë Abetare Pelaj dhe ka ndalur telefonin.

Muhamet Jupa sipas burimeve të Gazetës Sinjali në Universitetin “Haxhi Zeka”, është zyrtar i prokurimit dhe ushtrues detyre, poashtu kryesues për marrëdhënie me publikun. Jupa në një bisedë telefonike e ka pranuar se i mban këto pozita edhe se është anëtar i Këshillit Drejtues të PDK-së në Pejë.

Muhamet Jupa dhe Astrit Ademaj

Jupa është interesuar nëse gazetari është i ‘autorizuar’ për të bërë pyetje.

“Jo kurrgjë, në këshill drejtues jom po mas pari ti mundësh me ardh më fol live jo përmes telefonit, mundesh me ardh edhe këtu e me fol. Mas pari a je i autorizuar si gazetar për më ba pyetje, e dyta mundesh me ardh në zyrë të unë, unë jam zyrtarë i prokurimit dhe ushtrues detyre, kryesues për marrëdhënjë me publikun”, ka thënë Muhamet Jupa për Gazetën Sinjali.

Edhe Albana Belegu e cila është Zyrtare e Administratës në Universitetin e Pejës njëherësh asistente e dekanit është edhe pjesë e Këshillit Drejtues të PDK-së në Pejë.

Belegu ka thënë se nuk është e vetmja e cila është pjesë e PDK-së dhe punon në Universitet.

“Unë spo kuptoj pse po i doni këto pyetje kështu, e nuk jam e vetmja mirëpo nuk është e drejtë, sepse na pozitën e punës nuk guxojmë më rreziku shkaku i këtyre vendeve, ajo është si mënyrë privatë, ajo është si në mënyrë private ajo është interesi im”, ka thënë Belegu.

Albana Belegu ka thënë se nuk duhet të bëhet ndërlidhja e politikes me arsim dhe ka kërkuar që të mos “ngacmohet me këso pyetjesh”.

“Po, më falni pse po mi pyetni këto pyetje, ndoshta e kom ndërrua unë mendimin për strukturat, në cilën parti jam, mos ma përzini më pozitën e vendit të punës. Ju lutem mos e përzini politikën më punën që e kemi sepse politika me arsim nuk janë  përziher kurrë. Unë në administratë punoj,  unë jam asistente e dekanit në fakultetin juridik, për parti nuk muj më të thanë kurrgjë hiç, kom dëshirë mos me më ngacmuar me këto pyetje.”, ka thënë Belegu.

Fillojeta Kuçi, zyrtare e administratës në UHZ, sipas burimeve të Gazetës Sinjali është punësuar se fundmi para se të zgjedhej anëtare e Këshillit Drejtues të PDK-së në Pejë.

Kuçi në fillim e ka pranuar se është pjesë e Këshillit Drejtues të PDK-së por pastaj e ka mohuar, e sipas dokumenteve të siguruara nga Gazeta Sinjali  Kuçi është pjesë e këshilli drejtues.

“Jo në fund mos gabofsha, a jeni anëtarë e PDK-së në Pejë, po, jo jo në fakt nuk jam, s`jom as nuk jam kan as nuk jom se e gabova pyetjen”, ka thënë Fillojeta Kuçi.

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli gjatë fushatës së fundit kishte thënë se do të angazhohet që të luftojë korrupsionin dhe punësimet partiake. /Gazeta Sinjali/