image Bogdanoviq rreth informacioneve për vrasjen e Ivanoviqit - Do të thirrem si dëshmitar në Prishtinë

Rajon

Bogdanoviq rreth informacioneve për vrasjen e Ivanoviqit – Do të thirrem si dëshmitar në Prishtinë

news image

Boban Bogdanoviq sot ka prezantuar informacionin e tij për vrasjen e politikanit nga Kosova, Oliver Ivanoviq.

Mediat serbe raportojnë se ai ka përsëritur gjithçka që ka theksuar më herët. Ai paraprakisht në një rrëfim kishte thënë për KRIK-un se kishte mësuar nga shoku i tij, Aleksandar Gligorijevic, se autori i vrasjes së Ivanoviqit ishte Ljubomir Lainoviq, organizator ishte Milan Radoiçiq dhe autor Zvonko Veselinoviç.

Pas gati dy orësh marrje në pyetje, Bogdanovi1 u largua i kënaqur nga prokuroria dhe siç pretendon për Nova.rs pret që institucionet t’i përkushtohen seriozisht hetimit për herë të parë dhe ai të thirret si dëshmitar në gjyqin në Prishtinë.

“Sa i përket prokurorit nuk kam asnjë kundërshtim, ka qenë korrekte nga ana e tij dhe i kam paraqitur të gjitha konstatimet e mia, gjithçka ka shkuar sipas ligjit. Por unë ende pres përgjigje për kërkesën time për masa sigurie”, ka theksuar Bogdanoviq.

Kujtojmë se avokati i Bogdanoviqit para pak kohësh ka kërkuar siguri për klientin e tij, pasi siç pretendon ai ka vërejtur se po e dëgjojnë persona të caktuar, si dhe se i përgjohet telefoni.

“Unë e kam kryer detyrën time qytetare dhe më duket se tani institucionet realisht do të reagojnë, sepse do të thirrem si dëshmitar në Prishtinë të Kosovës”, tha Bogdanoviq.

Institucionet e Kosovës së fundmi kanë kontaktuar Bogdanoviqin dhe kanë bërë të ditur se ai mund të presë thirrje për marrje në pyetje edhe në Prokurorinë e Kosovës.

“Për herë të parë i janë qasur hetimeve shumë seriozisht, por ende duhet të ketë presion publik, sepse nëse lënda hiqet sërish në sirtar, atëherë është e qartë se vrasja është e nënshkruar nga shteti”, ka përfunduar Bogdanoviq.

Avokati, Aleksandar Ivanoviq, kushëriri i Oliver Ivanoviq, tha për mediat serbe pasi Boban Bogdanoviq u mor në pyetje në Prokurorinë për krim të organizuar se ai shpresonte që prokuroria më në fund do ta merrte seriozisht krimin dhe se deklarata e Bogdanoviqit do të kontribuonte në këtë.

Pasi Bogdanovi1 prezantoi gjetjet e tij në një rrëfim për KRIK, ministri i Policisë, Aleksandar Vulin, thirri një konferencë për shtyp në të cilën ai e quajti Bogdanoviqin me emra poshtërues dhe i hodhi poshtë pretendimet e tij “si të rreme”.

Kujtojmë, Oliver Ivanoviq u vra më 16 janar 2018, me gjashtë të shtëna në shpinë, para zyrës së PSD-së në pjesën veriore të Mitrovicës.

Nga 16 janari 2018 e deri më sot, as autoritetet tona dhe as ato serbe nuk kanë treguar se kush ka qëlluar në Ivanoviqin dhe me urdhër të kujt.

Këtë javë po mbahen seancat e reja për rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit. Vëllai i politikanit të vrarë serb ka dëshmuar dje dhe sot para Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

/GazetaSinjali/