image Bllokimi i hyrjes për në Brezovicë, mbesin në rrugë disa autobusë e vetura - VIDEO

Kosovë

Bllokimi i hyrjes për në Brezovicë, mbesin në rrugë disa autobusë e vetura – VIDEO

news image

Policia e Kosovës sot ka dalë me njoftim pas reshjeve të dendura të borës në Brezovicë, duke bërë të ditur se si pasojë e tyre është bllokuar qarkullimi i automjeteve në drejtim të kësaj zone malore, raporton Gazeta Sinjali.

Nga pamjet e publikuara nga atje bëhet e ditur se shumë autobusë e disa mjete tjera transportuese pas bllokimit të rrugëve deri në pastrimin e tyre, kanë mbetur në rrugë, teksa janë parë edhe disa vizitorë e edhe Policia në terren.

“Rruga nga zona e vikendit për në qendrën e skijimit në Brezovicë është bllokuar nga policia e Kosovës për shkak të borës së madhe. Ne do t’ju informojmë kur të zhbllokohet rruga”, thuhet në njoftimin e Brezovica.info.

Pamje Brezvocia.info

Në njoftimin e Policisë u bë e ditur se ky bllokim është mbyllur tërësisht për qarkullim rruga nga Brezovica në drejtim të Qendrës së Skijimit, deri në pastrimin e rrugës nga kompania për pastrimin e rrugëve.

“Ju njoftojmë se për shkak të reshjeve të dendura të borës që ka mbuluar atë zonë, është vështirësuar qarkullimi i automjeteve dhe në ora 10:15 është mbyllur tërësisht për qarkullim rruga nga Brezovica në drejtim të Qendrës së Skijimit, deri në pastrimin e rrugës nga kompania për pastrimin e rrugëve. Policia e stacionit të Shtërpcës dhe Njësia Rajonale e Komunikacionit është ne Brezovicë dhe po orienton komunikacionin. Nga zyrtarët e Qendrës së Skijimit jemi njoftuar gjithashtu se sot, nuk ka kushte për skijim”, kështu ka bërë të ditur Kanun Veseli, zëdhënësi i PK-së për rajonin e Ferizajt.

Reshje të dendura bore kanë mbuluar zonën malore në Brezovicë, ku si pasojë e tyre ekipi i Shoqatës së Kosovës për Kërkim Shpëtimi mbrëmë është detyruar të intervenojë në qendrën e skijimit, pasi njëri nga vizitorët ka pësuar arrest kardiak. Të njëjtit i është mundësuar transporti deri në autoambulancën e cila kishte vështirësi për të arritur në vendin e ngjarjes, raporton Gazeta Sinjali.

Sot, nga atje bëhet e ditur për gjendjen e rënduar ku dhe rekomandohet që mos të vizitohet qendra e skijimit.

Po ashtu, në njoftimin e Brezovica.info bëhet e ditur se deri më tani sasia e borës është 1 metër, ndërsa është pastruar vetëm një rrugë.

“Pas reshjeve të mëdha të borës në qendrën e skijimit në Brezovicë është shumë keq. ka 1 metër borë, vetëm një korsi e rrugës është pastruar, parkingu është i bllokuar. rekomandim që komuniteti i skijimit të mos vijë sot në Brezovicë”, thuhet ndër njoftim.

/GazetaSinjali/