Pas rreth një muaj hetimesh, Njësia për Hetimin e Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit në Shqipëri e ka ndriçuar skemën e një mashtrimi që një biznesmeni shqiptar i kushtoi me humbjen e rreth 90 mijë eurove.
Policia ka zbuluar dhe bllokuar edhe llogarinë me 89,550 euro, të cilat autori i identifikuar i kishte depozituar pasi i kishte përfituar nëpërmjet mashtrimit.
Njësia për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Departamentin e Policisë Kriminale, në qershor 2020 ka marrë kallëzim nga një shtetas shqiptar (biznesmen), pasi persona të paidentifikuar, nëpërmjet një skeme mashtruese, bazuar në teknologjinë e informacionit dhe komunikimit, kishin krijuar adresa të rreme elektronike, të ndërtuara me qëllimin për të mashtruar viktimat dhe për të devijuar transfertën e parave.
Kallëzuesit në fjalë, në bazë të kësaj skeme, duke i ndërhyrë në e-mail dhe duke ia marrë të dhënat, i kanë shkaktuar një dëm ekonomik në vlerën e 89,550 eurove.
Njësia për Hetimin e Krimeve Kibernetike, pasi mori kallëzimin, menjëherë bëri referimin e materialeve në Prokurori për veprën penale “Mashtrimi Kompjuterik” dhe vijoi intensivisht punën hetimore.
Në vazhdimësi të punës së shpejtë hetimore dhe procedurale u bë e mundur ndriçimi i skemës së mashtrimit, identifikimi i autorit i cili është shtetas i huaj që nuk jeton në territorin e Shqipërisë, si dhe zbulimi dhe bllokimi i llogarisë së tij.
Policia, në bashkëpunim me një bankë të nivelit të dytë në Shqipëri bëri të mundur bllokimin e shumës 89,550 euro, e cila ishte transferuar në një llogari jashtë territorit të Shqipërisë.
Nga hetimet e deritanishme rezulton se ky shtetas i huaj ka hapur llogari bankare jashtë territorit të Shqipërisë, me të cilën përfitonte fonde nga vende të ndryshme të botës nëpërmjet skemave të mashtrimit kibernetik.
Aktualisht po vazhdojnë hetimet procedurale për ndriçimin e plotë të veprimtarisë kriminale përsa i përket këtij rasti, si dhe për vendosjen përpara përgjegjësisë penale të çdo personi të implikuar në këtë vepër penale. /Gazeta Sinjali