image Blinken i shkruan Kurtit: Shmangni veprimet dhe retorikat që rrisin tensionet, fokusohuni në arritjen e marrëveshjes me Serbinë

Politikë

Blinken i shkruan Kurtit: Shmangni veprimet dhe retorikat që rrisin tensionet, fokusohuni në arritjen e marrëveshjes me Serbinë

news image

Sekretari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Antony J.Blinken, i ka shkruar letër kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, raporton Gazeta Sinjali.

Zyra e Kryeministrit njofton se ndër të tjera, Blinken ka kërkuar nga Kurti që të rikthejë momentumin në procesin e dialogut Kosovë – Serbi, për arritjen e marrëveshjes përfundimtare me njohje – reciproke.

Sekretari amerikan në letrën e tij drejtuar kryeministrit, e ka porositur që të shmang veprimet dhe retorikat që nxisin tensione dhe të angazhohet në dialog.

“Në letrën drejtuar kryeministrit Kurti, Sekretari Blinken ka thënë se Shtetet e Bashkuara, shpresojnë në lidershipin tuaj personal për rikthimin e momentumit në procesin e dialogut duke i mbështetur zotimet paraprake të vendit tuaj, pastaj duke e nxitur transparencën, duke i shmangur veprimet apo retorikën që mund t’i rrisë tensionet dhe duke u angazhuar në negociata me fokusin, kreativitetin dhe urgjencën e kërkuar”, thuhet në komunikatën e ZKM-së.

Blinken i ka kërkuar Kurtit që t’i kushtojë vëmendje arritjes së marrëveshjes për energjinë elektrike në veriun e Kosovës dhe për “avancimin e qëllimeve të përbashkëta në lidhje me personat e pagjetur”.

“Është në interes të Kosovës që këto çështje të zgjidhen dhe të çojnë drejt një zgjidhjeje kompromisi në planin afatshkurtër, e që të mund të shërbejnë si bazë për progresin e mëtejshëm drejt normalizimit gjithëpërfshirës”, ka shkruar Blinken.

Ai po ashtu ka kërkuar që të zbatohen vendimet gjyqësore, në veçanti ato që ndërlidhen me të drejtat e minoriteteve.

“Ju lutemi të punoni ngushtë me Ambasadorin Hovenier dhe Përfaqësuesin Special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, sepse të dy janë plotësisht të autorizuar për t’i adresuar këto çështje me ju. Të dy janë të përgatitur për t’i diskutuar specifikat me ju dhe ekipin tuaj. Jemi të gatshëm ta ndihmojmë Kosovën për t’i arritur qëllimet e përbashkëta”, citohet të ketë shkruar ai./GazetaSinjali/