Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka zhvilluar mbrëmë biseda telefonike me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, raporton Gazeta Sinjali.
Lidhur me këto telefonata është deklaruar edhe vetë Blinken, i cili përmes postimeve në rrjetin social Twittter ka dhënë detaje për secilën bisedë veç e veç.
Ai ka bërë të ditur se me kryeministrin kosovar, ka diskutuar për rëndësinë e partneriteti dypalësh dhe përpjekjet e Kosovës drejt integrimeve evropiane dhe euroatlantike.
“Telefonatë e mirë sot me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin. Diskutuam rëndësinë e partneritetit tonë dypalësh dhe përpjekjet e Kosovës drejt integrimeve evropiane dhe euroatlantike. E falënderova edhe për mbështetjen e palëkundur të Kosovës ndaj Ukrainës”, ka shkruar Blinken në Twitter.
Ndërsa me Vuçiq, Sekretari Amerikan i Shtetit ka thënë se është diskutuar përkushtimi i vazhdueshëm i Serbisë për integrimin evropian dhe paqen e stabilitetin në rajon.
“Me Aleksandar Vuçiqin sot kisha një bisedë produktive. Ne diskutuam rëndësinë e partneritetit tonë dypalësh dhe përkushtimin e vazhdueshëm të Serbisë për integrimin evropian dhe paqen dhe stabilitetin rajonal”, ka shkruar Blinken mbrëmë në Twitter.