image Bislimi tregon afatin e fundit për përmbylljen e bisedimeve me Serbinë, flet për shkresën që ua dha Lajçaku

Politikë

Bislimi tregon afatin e fundit për përmbylljen e bisedimeve me Serbinë, flet për shkresën që ua dha Lajçaku

news image

Kosova insiston se diskutimet me Serbinë tani kanë afat të caktuar. Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi gjatë raportimit në Komisionin për Punë të Jashtme tha se marsi i vitit 2023 është afati i caktuar për marrëveshjen finale Kosovë-Serbi.

Në tekstin e marrëveshjes së 23 nëntorit të arritur në Bruksel nuk shënohet ndonjë datë si afat për përmbylljen e bisedimeve, por Bislimi thotë se për këtë çështje, një shkresë shtesë atë natë e morën nga emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

“Kërkesa ka qenë që diskutimet të kufizohen në kohë, në mënyrë që ato të mos zgjaten pastaj pa kufi dhe mendoj se me dakordimin e datës 23 nëntor e kemi arrtur këtë, për arsye se si pjesë e marrëveshjes është paraparë që bisedimet për propozimin franko-gjerman duhet të kufizohen deri në fund të marsit”, tha Bislimi.

“Në fakt, në tekst nuk figuron data mars, mirëpo figuron takimi i grupit special për normalizim dhe pastaj ne e kemi pranuar këtë formulim vetëm në këmbim të një shkrese shtesë të z. Lajçak, ku ai e cakton afatin për normalizim, marsin 2023. Do të thotë ne e kemi marrë këtë siguri, e pastaj e kemi pranuar atë formulim”, shtoi zëvendëskryeministri.

/GazetaSinjali/