Nënkryetar i parë i Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Bislimi ka denoncuar siç thotë ai mashtrimin që po e bën Partia Demokratike e Kosovës, duke hapur konkurse për punësime fiktive për qëllime fushate.
Ai ka deklaruar se hapja e konkurseve për punësim nëpër institucione publike dhe ndërmarrje shoqërore e publike një javë para mbajtjes së zgjedhjeve nacionale, gjithsesi se përbën mënyrën më të vrazhdë dhe banditeske të keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe aseteve publike.
“Përveç kësaj, duke u premtuar punësim dhjetëfishit të pozitave të shpallura, duke e ditur se asnjë punësim nuk do të mund të ndodh dhe as është planifikuar të ndodh, përbën keqpërdorim makabër të gjendjes së varfër të individëve dhe familjeve, vetëm e vetëm për tua zhvatur një votë. Ky nënçmim i skajshëm i personave në nevojë është bërë sidomos i pamenaxhueshëm në komuna si Mitrovica (përmes konkurseve fallco për punësim në Trepçë) dhe Kastrioti (përmes premtimeve pa mbulesë të PDK-së për punësime masive në KEK). Vetëm në Kastriot PDK ka bërë më shumë premtime për punësim se sa që ka të punësuar në KEK”
Nënkryetari i VV-së thekson se asnjë nga këto konkurse të shpallura nuk kanë afat të përdorimit përtej datës 6 tetor. Ai ka apeluar tek qytetarët që të mos bien pre e mashtrimeve nga partitë që sipas tij i kanë mashtruar dhe lënë të papunë për 20 vjet. / Gazeta Sinjali/