Qeveria e Shqipërisë ka bërë bilancin e dëmeve pas tërmetit që e goditi vendin. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se për të stabilizuar gjendjen është komunikuar edhe me ndërkombëtarët, ndërsa ka përmendur edhe disa nga vendet që ndihmuan Shqipërinë.
“Për të adresuar situatën e krijuar pas tërmetit për të krijuar një bazë ndihme po komunikojmë me ndërkombëtarët. Dua ta nënvizoj solideratetin e madh që kemi hasur që në momentin e parë nga ndërkombëtarët. Kam pasur komunikim me qeverinë italiane, Turqinë, Francën, Gjermaninë dhe Austrinë, por edhe komunikime në nivele të tjera si ai i ambasadorit të BE si edhe të zv ambasadorit të SHBA”, tha Rama.
Ndërkohë Rama renditi edhe masat që ka marrë qeveria në lidhje me situatën dhe çfarë do të përfitojnë konkretisht të prekurit.
“Buxheti do të garantojë përdorimin e fondit rezervë për tërmetin. Përjashtim nga taksa e ndikimit në infrastrukturë tek banesat e dëmtuara nga tërmeti. Do sigurojmë ekzaminim për ashensorët, të sigurohemi që të plotësojnë kriteret. Masa detyruese për ndërtuesit, investitorët për të lidhur një kontratë 10-vjeçare me blerësit e apartamenteve që të mbulohen dëmet ndaj të tretëve për shkak të fenomeneve natyrore”, tha Rama.
Ai gjithashtu tha se do të përshpejtojnë lejet e ndërtimit për ata që kanë pasur dëmtime nga tërmeti, studime të thelluara në planifikimin e territorit që lidhen me fenomenet natyrore, organizim funksional të policimit qytetar, gjatë emergjencave natyrore.
“Leja e ndërtimit për godina kolektive do lidhet me sigurimin, jo me leje pa policën e sigurimit, me futjen e kompanisë se sigurimit s’do ketë blerës të mashtruar. OSHEE dhe kompanitë e ujësjellësit do marrin vendime për të zëruar detyrimin e familjeve të dëmtuara që janë në kushte të pa banueshme. Zerohen borxhet dhe subvencionimi 100 për qind i tarifës edhe kur nuk je në banesë. Për të tjerat masa të përshkallëzuara në varësi të dëmtimi”, tha Rama në konferencë për media./